Pak vjet më parë, Xheladini, një fermer në zonën e fushës së Llakatundit, 20 km në verilindje të Vlorës, vendosi të investonte për ndërtimin e një sere.

Prodhimi i perimeve i realizuar në sipërfaqen e tokës që kishte përfituar si ish punonjës i ish NB-së Llakatund, ishte sezonal. Një serë me sipërfaqe qoftë edhe të kufizuar, do të shtonte prodhimin dhe, kuptohet edhe të ardhurat. Me kursimet e disa viteve punë, siguroi materialet dhe, brenda pak muajsh gjithçka ishte gati. Sot, 64 vjeçari ka një serë modeste, me një sipërfaqe prj 2 dynymë, prej të cilës siguron një sasi të konsiderueshme domatesh, spinaqi e trangulli, si kulturë e dytë. "Rreth 65 përqind të të ardhurave i siguroj nga prodhimi i serës", shprehet ai. Në këtë përfundim ai të sjell një sërë argumentesh, duke nisur me rendimentin dhe sasinë e përgjithshme të prodhimit, që kanë tregues shumë më të mirë krahasuar me perimet e fushës. Kështu, rendimenti mesatar që siguron nga serat është rreth 650 kv/hektar, ndërkohë që për perimet e fushës ky tregues është rreth 3.5 herë më i ulët.

64 vjeçari është një nga ata dhjetra fermerë të zonës së fushës së Llakatundit, që po e orienton prodhimin e perimeve drejt serave. Kjo, për shkak të leverdisë ekonomike që ka kjo praktikë. Në tërësi edhe në rrethin dhe qarkun e Vlorës, prodhimi i perimeve në sera ka shënuar rritje të vazhdueshme.
Aktualisht, në shkallë qarku serat zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 18.14 hektarësh, nga 11 hektarë që është kjo sipërfaqe për rrethin e  Vlorës. Nga ana tjetër, në krahasim me vitin 2005, sipërfaqja e serave për qarkun dhe rrethin e Vlorës, rezulton të jetë pothuajse dy herë më e madhe. Aktualisht, në qarkun e Vlorës prodhohen gjithsej 35152 tonë perime në vit, nga të cilat 1564 tonë sigurohen nga serat. Mes tyre vendin kryesor e zenë domatet dhe më pak, trangujt, sallata, spinaqi, barbunjat.

Sipas specialistëve, praktika e serave ka një sërë avantazhesh që pasqyrohen tek prodhimi gjithëvjetor, rendimenti më i lartë, pothuajse 3.5 herë etj.
Kjo reflekton edhe në treguesit e tregut ku çmimet e perimeve gjatë këtij viti, janë ulur për shkak të rritjes së prodhimit vendas.

Perimet e prodhuara në vend zenë peshën kryesore në tregun e qytetit të Vlorës, me pothuaj dy herë më shumë krahasuar me ato që vijnë nga importi. Në muajin gusht u tregtuan rreth 2000 tonë fruta perime të prodhuara në zona dhe rrethe të ndryshme të vendit dhe rreth 1100 tonë të importit.

I njëjti raport paraqitet edhe në treguesit e muajit shtator prodhimet e tregtuara në tregun e shumicës, ku përfshihen disa lloje të frutave e perimeve të prodhuara në vend, siç janë domatet e Vlorës e të Lushnjes, kungujve etj.

Ky raport, ka ndikuar edhe në grafikun e çmimeve, i cili në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, paraqitet me një rënie prej rreth 2-3 përqind. Kjo rënie, reflektohet në një gamë të gjerë të fruta perimeve, duke përfshirë domatet, patatet, karrotat, kastravecat, etj.

ATSH