Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim dy persona, njëri 27-vjeç dhe tjetri 34-vjeç. Ndaj Francesko Isufaj dhe Izom Shehaj rëndon vepra penale "Shkatërrim i pronës me zjarr".
27-vjeçari Isufaj dyshohet se i vendosi flakën dy makinave tip ‘Benz’ dhe ‘BMW’ në lagjen Pavarësia në fillim të këtij muaji.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe punës së pandërprerë të specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, është bërë i mundur dokumentimi i dy rasteve të veprës penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, si dhe identifikimi dhe shpallja në kërkim e dy shtetasve të dyshuar si autorë të këtyre ngjarjeve.
Nga hetimet e kryera është bërë i mundur identifikimi i shtetasit F.I., 27 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet të jetë autor i një ngjarje të ndodhur më datë 02.03.2026, në lagjen “Pavarësia”, ku janë djegur me zjarr dy automjete të parkuara. Konkretisht, është djegur një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit I.A., 63 vjeç, si dhe një automjet tip “BMË”, në pronësi të shtetasit E.R., 68 vjeç, të dy banues në Vlorë, duke shkaktuar dëme materiale”, njoftoi sot policia.
Ndërkohë 34-vjeçari dyshohet se ka djegur një dyqan në pronësi të shtetasit P.R, më 3 mars. Si pasojë e zjarrit pati vetëm dëme materiale.
"Gjithashtu,nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi I.Sh., 34 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet të jetë autor i ngjarjes së ndodhur më datë 03.03.2026, rreth orëve të para të mëngjesit, në lagjen “Isa Boletini”, ku dyshohet se ka djegur me zjarr një dyqan në pronësi të shtetasit P.R. Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale në ambientin e biznesit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”.
Strukturat e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e këtyre shtetasve, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve dhe verifikimin e mundshëm të përfshirjes së tyre në raste të tjera të ngjashme kriminale", thuhet më tej në njoftim.
Komente








