VLORË, 2 Korrik/ATSH-Harilla Koçi/.- Strukturat e policisë së Qarkut të Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit finalizuan mbrëmjen e të enjtes operacionin e koduar "Kuponi tatimor", në përfundim të të cilit u proceduan penalisht në gjendje të lirë, pronarët e 5 bizneseve, bare dhe restorante në qytet.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit R.H, A.Gj, Sh.Z, E.S dhe E.B, respektivisht pronarë të Bar Piceri "Ini", Bar Restorant "Piazza", Bar "Britania", bar restorant "Amantia" e "Sunset".
Sipas policisë, gjatë një hetimi më shumë se dy mujor ka rezultuar se në këto biznese nuk përdoreshin kasat fiskale, çka shoqërohej me shmangie nga detyrimet tatimore që arrijnë në vlera relativisht të larta.
Krahas kësaj, strukturat hetimore të policisë në bashkëpunim me Prokurorinë po hetojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme penale të punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Vlorë, lidhur me këtë çështje.
Në përfundim të operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 kompjutera, 6 printera dhe aksesorë të tjerë, që shërbenin për prodhimin e faturave jashtë sistemit tatimor, duke mos deklaruar të ardhurat./m.m/