Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë 3 persona për vjedhje në bashkëpunim, pasi dyshohet se kanë vjedhë 11 bagëti të trasha(lopë).
 
Arrestimi i një 63-vjeçari, 61-vjeçari dhe një 38-vjeçari u bë i mundur në kuadër të operacionit të koduar "Trubulli".
 
Këta u arrestuan pasi më datë 15.05.2017, në fshatin Mërtiraj, Njësia Administrative Vllahinë - Bashkia Selenicë, gjatë natës, persona të paidentifikuar kanë vjedhur 11 bagëti të trasha (lopë) në stallën e P.I., 34 vjeç, me banim në këtë fshat.
 
Si rezultat i këtij operacioni, pas hetimeve të kryera nga ana e policisë, më datë 18.05.2017 është bërë e mundur identifikimi i menjëhershëm, kapja dhe ndalimi i 3 personave, si autorët e dyshuar në lidhje me këtë ngjarje.
 
Në bazë të hetimeve të kryera, ka rezultuar se 3 autorët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin pasi kanë vjedhur krerët e lopëve, i kanë transportuar ato me ndihmën e automjetit tip Furgon me targë AA 309 GJ në pronësi të shtetasit Ilir Meraj, duke i strehuar në një vend të posaçëm pranë banesës së shtetasit Gëzim Shahaj në fshatin Peshtan të Fierit.
 
Policia ka gjetur një pjesë të gjësë së gjallë (8 krerë lopë) si dhe ka bllokuar mjetin tip Furgon.
 
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale "Vjedhja e kryer në bashkëpunim" dhe "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale".
 
Personat e arrestuar
 
1- Barjam Xhelaj, 61 vjeç, banues në Vlorë.
2- Ilir Meraj, 38 vjeç, banues në Vlorë.
3- Gëzim Shahaj, 63 vjeç, banues në fshatin Peshtan, Fier.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com