Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur sot një familje në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në banesën e shtetasit Dule Begaj në qytetin bregdetar.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se dy persona të armatosur janë futur në banesë dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar kryefamiljarit paratë që kishte në shtëpi.

Familjarët kanë bërë rezistencë dhe janë dhunuar nga grabitësit, të cilët i kanë qëlluar me qytat e armëve, por nuk kanë arritur të marrin asgjë nga banesa.

Familja Begaj ka lajmëruar menjëherë forcat e policisë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes. Momentalisht policia ka shoqëruar 6 persona, të  cilët dyshohet se janë përfshirë në ngjarje. Sipas policisë, dy grabitësit që u futën në banesë kanë patur bashkëpunëtorë të tjerë, që i prisnin jashtë banesës dhe i kanë ndihmuar të largohen. /ATSH/