VLORE-Një makinë tip Audi-Q7 është shpërthyer me eksploziv gjatë natës në qytetin bregdetar, ndërsa nuk raportohet për të plagosur.
 
Sipas policisë, makina së cilës iu vendos eksploziv është në pronësi të shtetasit Flamur Peçaj (Lamaj) 46 vjeç.
 
Ngjarja ka ndodhur pranë pallatit të pronarit të mjetit në lagjen "Pavarësia", ku automjeti tip Audi-Q7 ishte i parkuar.
 
Blutë e Vlorës sqarojnë se sasia e eksplozivit nuk është  futur në automjet por është hedhur  poshtë tij, i ndërtuar në menyrë artizanale (tritoli) është shpërthyer me anë të një fitili të gjatë, ku rreth 5 metra në largësi nga vendi i ngjarjes policia ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale një pjesë të tij.
 
Ndërkohë shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar edhe banesën e katit të parë, ku ishte parkuar automjeti.
 
Nga shpërthimi xhamat e dritares janë thyer. Jashtë kameres banorë të zonës të shqetësuar sqarojnë se ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policisë dhe zjarrfikëses që ka arritur të neutralizoje flakët dhe të shmangë përhapjen e tyre në mjete të tjera.

46-vjeçari njihet në qytetin e Vlorës me dy mbiemra dhe si person me precedent penal në trafikun e drogës dhe ngjarja dyshohet se ka ardhur për motive hakmarrje, pasi ka pasur edhe një konflikt ne 2012.
 
Policia e Vlorës deklaron se po punohet për hetime të mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit.

Dy pistat që po hetohet
Pista e parë që po hetohet nga policia dhe prokuroria e qytetit të Vlorës lidhet me pjesëmarrjen si anëtar i bandës ku ishte edhe Isuf Brahimaj, i cili u vra në një atentat në  Gusht 2014.
 
Flamur Pecaj (Lamaj) në 8 qershor 2009 u arrestua bashkë me Isuf Brahimajn dhe Indrit Kulajn në Belgjikë për trafik kokaine nga Amerika Latine.
 
Ndërsa pista e dytë që po hetohet lidhet me një dënim në 2012 në Shqipëri pas një konflikti në Vlorë me armë zjarri.
 
Në 2012 pas një konflikti Flamur Pecaj banues  në fshatin Trevllazër ka kanosur me armë zjarri shtetasit Mbarësim Licaj dhe Armando Sinanaj të dy banues në Vlorë, të cilët kanë arritur ti marrin armën tip pistoletë dhe e kanë rrahur dhe goditur me sende të forta.
 
Për ngjarjen Flamur Pecaj u dënua në 2012, ndërsa pak kohë më parë ka dalë nga burgu.

[gallery]20812[/gallery]

makina
Makina e shpërthyer me eksploziv në Vlore


dy.b/shqiptarja.com