Një ngjarje e dhunshme është regjistruar në Vlorë, ku tre persona kanë kërcënuar me armë dhe kanë dhunuar një 35-vjeçar, duke tentuar ta nxjerrin me forcë nga makina e tij.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, ku sipas policisë, autorët i janë afruar personit me inicialet L. S., teksa ndodhej brenda automjetit, dhe e kanë kanosur me pistoletë sportive. Më pas situata ka degraduar në dhunë fizike, ku autorët e kanë goditur me grushta dhe me tytën e armës.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, policia ka vënë në pranga tre të rinj nga Vlora: Xhevair Islamaj, 31 vjeç, Klodjan Hysenaj, 34 vjeç dhe Mario Zekaj, 20 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa autorët pas ngjarjes janë larguar me automjet.
Gjatë kontrolleve, policia ka gjetur dhe sekuestruar pistoletën sportive të përdorur në ngjarje, e cila ishte fshehur në një automjet në pronësi të babait të njërit prej të arrestuarve. Në cilësinë e provës materiale janë bllokuar edhe dy automjete, ai me të cilin u larguan autorët dhe makina ku u gjet arma.
35-vjeçari i dhunuar ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, ndërsa tre të arrestuarit akuzohen për “kanosje”, “plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve sportive”.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Vlorë/Kanosën me pistoletë një 35-vjeçar dhe tentuan ta nxirrnin me forcë nga automjeti i tij, duke e dhunuar, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, pistoleta sportive dhe 2 automjete (automjeti me të cilin janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes dhe automjeti ku u gjet pistoleta).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, dje, pas marrjes së njoftimit për kanosjen dhe dhunimin e një shtetasi, në lagjen “Hajro Çakërri”, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifkimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: -Xh. I., 31 vjeç, K. H., 34 vjeç dhe M. Z., 20 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet e para dyshohet se këta shtetas kanë kanosur me pistoletë sportive, për motive të dobëta, shtetasin L. S., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhej brenda në automjetin e tij, në lagjen “Hajro Çakërri”, dhe më pas, kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga automjeti, duke e goditur me grushte dhe me tytën e pistoletës.
35-vjeçari po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të babait të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën të fshehur pistoletën sportive që dyshohet se është përdorur për kanosjen.
Pistoleta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin ku u gjet dhe me automjetin të cilin dyshohet se janë larguar autorët nga vendi i ngjarjes.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Komente











