Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, u kërkoi të pranishmëve në Samitin e Diasporës mbështetje për reformën në shëndetësi. Ministrja theksoi se tani është e nevojshme të kalohet nga bashkëpunime sporadike në partneritete të strukturuara dhe afatgjata me diasporën. Për këtë qëllim, ajo renditi disa prej mënyrave për përfshirjen e diasporës në shëndetësi.

“Transferim të qëndrueshëm të dijes dhe ekspertizës, që e kemi filluar dhe jemi në hapat e parë. Ndërtimin e urave institucionale. Në sallë po shoh të pranishëm, nga institucione shumë të rëndësishme në gjithë Europën. Tani po ndërtojmë ura dhe së shpejti, javën tjetër kemi një binjakëzim me Institutin e Shëndetit në Romë. Dhe, së shpejti me Institutin e Tumoreve në Milano. Politika konkrete lehtësuese. Procedura më të thjeshta për njohjen e kualifikimeve, mundësi për angazhim fleksibël dhe skema incentivash për kontribut të qëndrueshëm. Rritjen e standardeve dhe cilësisë, por edhe inovacion dhe kërkim shkencor”, tha Sala duke theksuar se diaspora është një partner i pazëvendësueshëm.


Lajmi kryesor:

Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)