Një projektligj i ri parashikon që ofruesit e shërbimeve me kriptomonedha të trajtohen si subjekte të detyruara nga ligji kundër pastrimit të parave. Agjencia e Inteligjencës Financiare do të ketë akses në të dhënat e transfertave të kriptove dhe kompetencë të pezullojë përkohësisht llogari virtuale e vendosë monitorim mbi transaksionet e dyshimta.

Sektori i Kriptovalutave tanimë do të jetë zyrtarisht objekt kontrolli i institucioneve shqiptare përmes projektligjit të ri të paraqitur nga qeveria për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Agjencia e Inteligjencës Financiare merr kompetenca të qarta për të kërkuar dhe marrë informacion mbi transfertat e kripto-aseteve. Projektligji parashikon që kjo agjenci të ketë akses në të dhëna financiare, përfshirë edhe transfertat e kripto-aseteve. Ofruesit e këtyre shërbimeve duhet t’i shoqërojnë transfertat me të dhëna identifikuese për paguesin dhe përfituesin, si emri, adresa në regjistrin e shpërndarë dhe numri i llogarisë së kripto-aseteve kur ekziston.

Projektligji shkon më tej duke parashikuar masa të forta ndërhyrjeje kur ka dyshime për pastrim parash ose financim terrorizmi përmes kriptove. Agjencia e Inteligjencës Financiare mund të pezullojë përdorimin e një llogarie të aseteve virtuale ose një marrëdhënie biznesi deri në 72 orë, si masë urgjente për analizë financiare. Po ashtu mund të urdhërojë monitorim të transaksioneve që kryhen përmes llogarive të aseteve virtuale kur personat paraqesin rrezik të lartë.

Sipas relacionit shoqërues projektligji i ri synon të harmonizojë trajtimin e kripto-aseteve me standardet evropiane për gjurmimin dhe kontrollin e transaksioneve financiare me risk.

Projektligji i ri specifikon në mënyrë të qartë se të gjithë ofruesit dhe përdoruesit e kriptomonedhave duhet të jenë të identifikuar përmes të gjithë elementëve, duke ndaluar kështu anonimatin e çdo forme.