Ngjarja
Burime nga Policia e Vlorës thanë për Shqiptarja.com se dy ditë më parë, në sallën operative, në numrin 129 ka telefonuar një vajzë e cila kërkonte ndihmë. Mësohet se telefonuesja ka qenë një 24 vjeçare me iniciale D.K nga fshati Kallëm i Fierit, por studente në Vlorë. Vajza ka kërkuar ndihmën e policisë, duke thënë se i dashuri i saj Xhino Rrapaj do ta dërgonte atë në Itali për qëllime prostitucioni, duke u dhënë më pas edhe adresën se ku ndodhej në Vlorë.
Menjëherë pas kësaj telefonate, policia lokale është vënë në ndjekje të të riut duke parë pas hapi çdo lëvizje të tij. Më pas, 22 vjeçari u arrestua në flagrancë në banesën që D.K kishte marrë me qira, në lagjen “10 Korriku” në Vlorë. Mësohet se djaloshi 22 vjeçar e kishte të dashur vajzën fierake madje tek disa shokë e të afërm, ai e kishte prezantuar edhe si të fejuarën e tij. Por, sipas policisë, kjo ishte një skemë e të riut vlonjat, pasi dyshohet se edhe më parë femrat që ai kishte si synim t’i trafikonte, i prezantonte si të dashura apo edhe të fejuarat e tij.
Dyshim ky që është në hetim. Ndërkaq, burime zyrtare nga Policia lokale thanë për gazetën se Rrapaj kishte disa ditë që e kishte mbyllur vajzën në banesën ku ajo jetonte, duke marrë me vete çelësat e shtëpisë si dhe telefonin e saj personal. Po ashtu, 22 vjeçari, kishte ushtruar dhunë mbi të, madje edhe duke e kërcënuar me familjen e saj nëse ajo nuk do të pranonte të shkonte në Itali.
Edhe pse Rrapaj merrte me vete edhe telefonin e vajzës, kjo e fundit ka gjetur në shtëpi një tjetër aparat celular të cilën kishte kohë që nuk e përdorte, dhe ka telefonuar menjëherë në polici, duke qenë kështu edhe “shpëtimin” e saj. Ndërkaq, 22 vjeçari Xhino Rrapaj nuk ishte i pa njohur për policinë, pasi disa vite më parë kishte qenë i dënuar me burg për trafikimin e rreth 1.5 ton marijuanë.
Deklaratat
Burime zyrtare nga blutë e qytetit bregdetar thanë, se e reja në deklaratën e saj në polici ka pranuar se ka pasur një lidhje me 22 vjeçarin. Ajo ka pohuar se ishte edhe në djeni se i dashuri i saj ishte 2 vite më i vogël dhe pak muaj më parë ia ka prezantuar familjes si bashkëshortin e saj të ardhmësh. “Pak muaj më parë Xhino së bashku me babain e tij, ka ardhur në shtëpi për të më kërkuar dorën në familje. Kanë qënë ata që nuk kanë dashur që kjo fejesë të bëhej se kishin dyshimet e tyre.
Prindërit e refuzuan këtë gjë dhe ne kemi bashkëjetuar për disa muaj bashkë”, mësohet të ketë thënë D.K në polici. Por kjo deklaratë është mohuar nga Rrapaj, i cili ka thënë se me vajzën ka pasur qëllime serioze dhe e quante D.K si të fejuarën e tij. “D.K është e fejuara ime dhe jo e dashura. Unë kam qëllime serioze me të dhe nuk kam për qëllim asgjë nga ato që ajo pretendon”, ka thënë 22 vjeçari në polici.
Babai i D.K në djeni të lidhjes, i kishte kërkuar dorën
“E dinim që diçka e tillë do të ndodhte”. Kështu është shprehur në polici babai i vajzës 24 vjeçare me iniciale D.K. Sipas policisë së Vlorës, Sh.K është lajmëruar nga policia menjëherë sapo është bërë arrestimi në flagrancë i Rrapajt. Burri me banim në fshatin Kallëm të Fierit, është paraqitur në policinë e Vlorës për të dhënë deklaratën e tij. I tronditur, Sh.K ka pohuar se pak kohë më parë Rrapaj i ka shkuar në banesë së bashku me të atin dhe i ka kërkuar atij dorën e vajzës.
“Më kanë ardhur në shtëpi të dy babë e bird he më kanë thënë se vajzën time do e merrnin për nuse. Nuk e kam pranuar këtë gjë pasi djali që në fillim më është dukur si i dyshimtë”, ka thënë babai i vajzës në deklaratë. Kjo që është mbështetur edhe nga gjyshja e saj E.K e cila ka thënë se ka qenë dëshmitare në ato momente. Po ashtu, për të dëshmuar në polici është thirrur edhe babai i djalit Fatmir Rrapaj, i cili ka pranuar të ketë qenë në familjen e vajzës.
“Kam shkuar me djalin për të kërkuar dorën e vajzës, por pa dëshirën time. Unë nuk kam qenë në djeni të planeve të tij. Atë ditë Xhino më kërcënoi që të shkoja së bashku me të”, mësohet të ketë thënë Fatmiri në deklaratë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Korrik 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)