/ATSH-Gjergji Mima/ -Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkine e Vlorës, Dritan Leli, ka vizituar zonën e Nartës ku ka zhvilluar një sërë takimesh me komunitetin vendas.

Pas vizitave të ndryshme në shtëpi dhe biznese të banorëve të zonës, Leli është ndalur në qendër të fshatit ku ka prezantuar një pjesë të programit të tij elektoral. Duke u fokusuar tek bujqësia, peshkimi dhe prona, Leli u shpjeguar banorëve të Nartës se në katër vitet e ardhshme e gjithë bashkia e madhe e Vlorës do të shndërrohet në një nga vendet më të bukura të Mesdheut.

"Problemi më i madh që keni ju këtu në Nartë është ai i pronave dhe banesave, qe do të zgjidhen. Në katër vitet e ardhshme ky problem do të jetë i zgjidhur. Për çdo pronë të çdo qytetari të bashkisë së Vlorës, vetë bashkia do të ofrojë falas, konsulencë juridike, profesional, për të zgjidhur çështjen e pronave. Do punoj maksimalisht që çdo pronë e juaj të jetë e dokumentuar dhe certifikuar", pohoi ai.

Por, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor nuk është e vetmja pikë e programit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për zonën e Nartës, e cila është e njohur për lagunën e mrekullueshme, Manastirin e Zvërnecit dhe Karnevalet.

"Më vjen mirë që Narta ka ruajtur traditën e kulinarisë. Të gjithë shqiptarët tashmë e dinë që në Nartë ushqehen mirë. Kjo duhet shtyrë edhe më shumë. Në planet tona është krijimi i një panairi kulinarie këtu në Nartë. Në këtë panair do të marrin pjesë jo vetëm banorët e Nartës, por nga të gjitha zonat e Vlorës", u shpreh Dritan Leli.

Sipas tij, në katër vitet e ardhshme Narta do të kthehet në një pikë referimi turistike për të gjithë Shqipërinë. "Ju premtoj që duke filluar nga viti tjetër, Karnavalet e Nartës do të bëhen një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët. Karnavalet tuaja të dashura do të reklamohen në të gjithë Shqipërinë", tha Leli.

Më pas ai u bëri thirrje banorëve të zonës që vota është pushteti i tyre më i madh dhe si i tillë duhet ushtruar. "E vetmja mënyrë që njerëzit të ushtrojnë pushtet është vota. Shfrytëzojeni këtë të mundësi. Dilni sa më shumë në votime më 21 qershor. Tek Dritan Leli do të gjeni një njeri që t'ju ndihmojë sepse është detyrë e çdo kryebashkiaku që të kujdeset për çdo qytetar", tha ai.