Personat me aftësi të kufizuar do të kenë një linjë direkte komunikimi me Kreun e Bashkisë së Vlorës.

Ky është zotimi që kandidati për Kryetar Bashkie i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Dritan Leli u bëri personave me aftësi të kufizuar gjatë një dëgjese me ta.

Dritan Leli, me profesion doktor, gjatë dëgjesës me Organizatat jo Fitimprurëse, që kujdesen për personat me aftësi ndryshe, theksoi ndjeshmërinë e tij karshi kësaj shtrese personash. Ai tha se, në rast se qytetarët e Vlorës do të zgjedhin kandidatin e ASHE-së për kryetar Bashkie, atëherë një nga punët e para që Leli do të bëjë është ngritja e një linje komunikimi direkte mes këtyre personave dhe kryetarit të Bashkisë.

"Ndjeshmëria ime si mjek ne shumë vite eksperiencë më ka mësuar t'u qëndroj pranë individëve me aftësi të kufizuara. Kjo ndjeshmëri do të më shoqërojë gjithë jetën, e do të më bëjë që të jem shumë afër tyre në drejtimin e bashkisë së Vlorës", u shpreh zoti Leli. Ai u premtoi mbështetje maksimale OJF-ve në punën e tyre të përditshme.
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli ka zhvilluar sot dëgjesa publike me tre grupe të ndryshme interesi: biznesin e vogël; OJF dhe persona me aftësi të kufizuar; si dhe me studentët.

Biznesi i vogël ka kërkuar mbështetjen e bashkisë për vendosjen e barazisë në taksa si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofrohen nga bashkia Vlorë. Kandidati Dritan Leli i ka premtuar përfaqësuesve të biznesit të vogël se kërkesat e tyre do të bëhen pjesë e platformës së tij elektorale.

Dëgjesa e tretë e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli, u zhvillua me studentët. Të rinjtë e Vlorës i paraqitën Dritan Lelit shumë ide të vlefshme për administrimin e qytetit në përgjithësi, por duke i dhënë një fokus të veçantë rinisë.