Vlorë-Një 34-vjeçar i cili mbante pistoletë pa leje në banesë është arrestuar nga policia e Vlorës. 

Si pasojë e kontrolleve të kryera në shtëpinë e tij në fshatin Tragjas, blutë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, një krehër me fishekë dhe fishekë për armë zjarri kallashnikov. 

Policia njofton se arma e zjarrit do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, me qëllim zbardhjen nëse është përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Operacioni u kodua 'Nightfall 2'.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, kanë vijuar kontrollet dhe ndërhyrjet intensive në të gjithë territorin e qarkut, me fokus goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe të çdo veprimtarie të paligjshme që rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve. 

Në këtë kuadër, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nightfall 2”. 

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasi B. A., 34 vjeç, banues në fshatin Tragjas.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, si dhe dhjetëra fishekë për armë zjarri kallashnikov.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.