VLORE -   Gjykata e Vlorës ka dhënë sot masën e sigurisë 'arrest me burg' për dy prej të arrestuarve, të cilët, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë nxitur të konsumojë drogë dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 26-vjeçare. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili vizitoi vajzën në spital mesditën e sotme tha se ajo do të merret në mbrojtje.  

Në Gjykatë, paraditen e sotme (25 tetor) Albi Ceno, 28 vjeç dhe Oltjan Tahiri, 31 vjeç u përpoqën t’i fshihen kamerave duke mbajtur kokën ulur. Gjyqtari Hektor Sinanaj vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe vendosi që të hetohen në masë arresti me burg, njëjtë siç kërkoi dhe prokurori Olsi Vasiu. Seanca u mbajt me dyer të mbyllura.

Albi Ceno dhe Otjon Tahiri  akuzohen për 2 vepra të rënda penale, marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura kryer në bashkëpunim, për të cilën rrezikojnë dënimin nga 5-15 vjet burg’ dhe për nxitje për përdorimin e drogës, vepër sipas Kodit Penal, dënohet nga 5-10 vjet burg.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në një hotel të Vlorës më 21 tetor 2023, ndërsa një ditë pas, 22 tetor, policia njoftoi arrestimin e Cenos dhe Tahirit ndërsa ishte shpallur në kërkim Gentjano Mehmetin.

26-vjeçarja nga Vlora u gjet në gjendje të rëndë pa ndjenja në Rrugën Transballkanike në Vlorë, pranë një hoteli. Ka shumë paqartësi për atë që mund të ketë ndodhur. Ajo që dihet është se një qytetar që e pa thuajse pa ndjenja, lajmëroi ambulancën e më pas policia nisi hetimet.  Të akuzuarit dyshohet se i kanë dhënë vajzës të konsumojë pa dijeninë e saj, lëndë narkotike në një lokal dhe më pas, në gjendje të pavetëdijshme, dyshohet ta kenë ngjitur në dhomën e një hoteli, ku mendohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Vajza dyshohet të ketë pasur lidhje intime me njërin nga të dyshuarit, por siç mësohet nga dëshmia e saj dhënë në polici, nuk ka pasur dijeni se i dashuri ishte i martuar dhe do i sillte në tavolinën ku dolën për të pirë një gotë, edhe persona të tjerë

Nje i katert ne kerkim
Ndërkohë më 24 tetor policia njoftoi se vijonte puna për arrestimin e një personi të katërt, V.K, 36 vjeç për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”

Në lidhje me këtë ngjarje është vënë në hetim nga policia e Vlorës edhe Albert Deliaj, pronari i televizionit TV 6+1 Vlora, pasi ka kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, për shkak të lajmit që gazetarja Afrovita Hysaj kishte bërë lidhur me këtë ngjarje. 

Për çfarë akuzohen të rinjtë?

Dy të rinjtë akuzohen për nxitje për përdorim të drogës dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura

NENI 286: Nxitje për përdorim të drogës
Nxitja e të tjerëve për përdorimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope ose dhënia në përdorim ose injektimi i tyre te të tjerët, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 102 Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura
Kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Albi Ceno dhe Oltjan Tahiri

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:38
Balla shkon në Vlorë ofron mbështjetje 26-vjeçares: Do të merret në mbrojtje

 

Ministri I Brendshëm Taulant Balla ishte sot në spitalin e Vlorës për të takuar 26-vjeçaren, viktimë e marrëdhënies seksuale me dhunë dhe nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike.

Në një prononcim për median Balla tha se kultura e pandëshkuesshërisë së dhunës me bazë gjinore do të marrë fund.

"Duhet të bëhemi bashkë se vajza mund të ishte motra jote ose e imja. Dhuna me bazë gjinore nuk është e re por është krijuar një kulturë pandëshkueshmërie që do të marrë fund. Jam këtu për të mbështetur këtë vajzë që ka rënë pre e kësaj dhune. Një vajzë që vjen nga zonat rurale dhe ka ardhur në Vlorë për të ndihmuar veten e vet" tha Balla.