Vlorë, 20 dhjetor/ATSH-Harilla Koçi/.-Mjaft fermerë në fshatin Bishan të komunës Novoselë, 20 km në veri të qytetit të Vlorës, po kultivojnë mollët, si një mundësi për të rritur të ardhurat.
Petraqi, njeri prej tyre, banor i fshatit Novoselë, mendon se tradita e mollëve mund të shtrihet edhe në Myzeqe. Prandaj dhe dy vjet më parë, vendosi t'i hynte kësaj sfide. E tundonte shpesh mendimi se, në këtë fshat buzë lumit Vjosë, mund të kultivoheshin edhe fruta që nuk ishin në traditën e zonës. Mollët e tërhiqnin shumë. Është një frut që e ka ngacmuar fantazinë e tij prej vitesh. Por edhe tre fëmijët e tij e pëlqejnë shumë shijen dhe ëmbëlsinë e saj.
Me këtë ndjesi, dy vjet më parë vendosi të krijonte një parcelë. Toka kishte mjaft. Ishin buzë lumit dhe uji nuk do të mungonte. Sot, ndihet i kënaqur. Këtë vit mblodhi prodhimin e parë. Ishte i bollshëm. Një pjesë të mollëve i nxorri në treg dhe të tjerat i shfrytëzoi për nevojat e familjes. Në parcelën e tij, pemët jo shumë të larta, janë mjaft të shëndetshme dhe të forta, aq sa për të mbajtur frutat që të ftojnë t'i prekësh e t'i shijosh.
Tashmë Petraqi, ndihet mjaft mirë. Ka fituar betejën që nisi dy vjet më parë. Por, ka vendosur që ta çojë edhe më tej sfidën e tij me traditën e munguar. Do të mbjellë edhe një parcelë tjetër me sipërfaqe 1 dynym. Pastaj, "me të parë dhe me të bërë", siç shprehet vetë.
Por, ai, nuk është i vetmi që ka nisur të kultivojë mollë në zonën e Myzeqesë së Vlorës. Shembulli i fermerit Mjergullosh Llanaj, katër vjet më parë, i pari që hodhi themelet e një tradite të re, në këtë pjesë të Myzeqesë së Vlorës, po ndiqet edhe nga të tjerë. Mendimi i mëparshëm se mollët nuk mund të rriten në këtë zonë për shkak të kushteve klimatike, tashmë po thyhet dalëngadalë.
Specialistët kanë sugjeruar se këto janë zona të ngrohta dhe, mollët e arrijnë pikën e pjekjes shumë më shpejt, se atje ku ajo kultivohet tradicionalisht, siç është Korça. Temperaturat e larta, shkurtojnë ciklin vegjetativ të tyre, duke shkaktuar pjekjen e mollëve qysh në muajin gusht. Por, pikërisht ky element, ishte edhe ai që tërhoqi vëmendjen e specialistëve. Në këtë mënyrë, tregu nuk do të presë më fundin e muajit shtator, apo tetorin, për t'u furnizuar me mollë vendi. Ato mund të dalin qysh në muajin gusht. Dhe realiteti i këtyre viteve të fundit e ka dëshmuar këtë.
Sipas burimeve të Drejtorisë së Bujqësisë, janë rreth 15 fermerë të zonës së Myzeqesë që kanë nisur të kultivojnë dhe madje edhe të prodhojnë e të tregtojnë mollë. Sipas sugjerimeve të specialistëve ata kultivojnë tre lloje mollësh: "Golden", "Gala", "Starking". Të treja janë lloje mjaft të mira dhe të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike./a.g/