Vlorë -Ilmo Bani, një nga piktorët më të spikatur vlonjatë dhe më gjerë, në dekadat e fundit, ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare.
Ai përfaqëson brezin e atyre krijuesve në artet vizive, që shënuan një "boom", në fushën e pikturës në Vlorë, duke e bërë atë një nga degët më të dashura për banorët e këtij qyteti.
Bani, që kryente edhe funksionin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, është nga ana tjetër edhe një nga emrat e njohur të asaj që quhet Shkolla Vlonjate e Pikturës.
Ai u aksidentua disa javë më parë, por nuk arriti t'u mbijetonte pasojave të asaj përplasejeje, megjithëse u kurua edhe jashtë vendit.
Arkivoli me trupin pa jetë të Banit, u vendos të enjten në hollin e Teatrit "Petro Marko", ku u zhvilluan homazhe në nderim të tij dhe ku morën pjesë qytetarë të shumtë, artistë, intelektualë, të afërm, shokë, miq, personalitete të jetës artistike në shkallë vendi.
Këshilltari i Kryeministrit për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane, Fate Velaj, vendosi një kurorë në emër të Kryeministrit, Edi Rama.
Ishte i pranishëm gjithashtu dhe bëri homazhe edhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj.
-Ilmi Bani, piktori vlonjat që solli figurën e Selam Musait-
Edhe pse kishte dalë në pension prej disa vjetësh, piktori vlonjat Ilmi Bani, ishte po aq aktiv në art sa edhe në kulmin e karrierës së vet profesionale. Në pjesën më të madhe të ditës mbyllej në studion e tij, të cilën e kishte përshtatur pranë banesës së vet, në katin e dytë të një pallatit. Për të, piktura ishte vetë jeta. Asgjë nuk mund ta shkëpuste prej saj. Madje përmes pikturës, ai ndiqte dhe ruante dinamikën e të përditshmes. Në fjalë ishte i kursyer, ndërkohë që, në art ishte shpërthyes.
Bani, një piktor i njohur edhe në shkallë vendi, pjesëmarrës dhe protagonist në mjaft ekspozita para dhe pas viteve '90-të, shquhej për larminë e tematikës krijuese.
Por, veçanërisht, ai spikaste në trajtimin e temave historike që lidhen me formimin por edhe me fillimet e karrierës së vet. Selam Musai, personazhi i njohur i Luftës së Vlorës së 1920-ës, është edhe emri që përkon me dy momente të rëndësishme të jetës artistike të Ilmi Banit; diplomimin dhe kulmin e aktivitetit si piktor. "Ishte vitit 1964 kur si punë diplome realizova tablonë e parë me temë historike që kishte në qendër të vet Luftën e Vlorës dhe luftëtarin popullor Selam Musain", tregonte para pak muajsh në një intervistë për ATSH-në, Bani. Ai thoshte se, për të realizuar këtë punim, që do të dëshmonte përpara komisionit të vlerësimit, formimin e tij si piktor në Akademinë e atëhershme të Arteve në Tiranë, duhej të njihej pikësëpari me dimensionet e kësaj ngjarjeje dhe të atij personazhi historik, që do të ishte në qendër të kompozimit.
Lexoi mjaft dhe arriti të krijonte një perceptim të mjaftueshëm për realizimin e kësaj tabloje, ku Selam Musai shfaqet në qendër të saj, i mbështetur nga një masë luftëtarësh kryesisht të rinj. Ky kompozim, i realizuar 50 vjet më parë, ndodhet aktualisht në Muzeun e Gjirokastrës. Por, për Banin, figura e Selam Musait, që simbolizonte një ngjarje mjaft të spikatur të historisë së Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë, do të vazhdonte të ishte burim tematike edhe në vitet në vijim. Me këtë personazh qendror, ai do të realizonte një nga punimet e tij më të arrira shumë vjet më vonë, në kuadrin e një përvjetori të Luftës së Vlorës. Por, këtë rradhë, tabloja do të ishte shumë më e plotë dhe shumë më e arrirë artistikisht. Për të arritur këtë, ai ngulmoi dhe u përpoq ta njihte më mirë jetën dhe veprën e Selam Musait. Takoi edhe bashkëkohës të tij dhe madje edhe një prej atyre bashkëluftëtarëve që e kishte njohur.
Në bashkëbisedimin tonë, Bani sillte kujtimet e një patrioti të njohur vlonjat, Shaqo Derrit(që nuk jeton prej vitesh), për figurën e heroit të Luftës së Vlorës.
"Selam Musai ishte një fshatar i mesëm, në gjendje mjaft të mirë ekonomike për atë kohë. Për ta saktësuar më mirë figurën e tij, them se ai ishte ndër ata njerëz që nuk mbante gunë të zakonshme, të zezë, mjaft e përhapur në banorët e Labërisë, por në një ngjyrë gri, që kishte edhe një emër të veçantë "guna çile". Kjo veshje popullore, si një lloj pelerine, e cila nuk ishte e përbërë nga materiali i zakonshëm që përdorej për prodhimin e gunave të zeza, dallonte shtresën e mesme, fisnike, nga fshatarët e zakonshëm", shprehej piktori Ilmi Bani, duke situar tregimin e patriotit Shaqo Derri për bashkëluftëtarin e tij, Selam Musanë. Ky ishte një përshkrim ndryshe për figurën e Selam Musait, që binte ndesh me perceptimin zyrtar të kësaj figure. Gjithsesi, me këto elemente dhe me gjithçka tjetër që mësoi për trimërinë dhe aktivitetin e tij, piktori vlonjat, realizoi një tablo që fiksonte atë ngjarje madhore, përcaktuese për fatet e vendit.
Bani e sillte në vëmendje me nostalgji këtë kompozim të tij, që fikson një nga kapitujt më të veçantë të kësaj Lufte, momentin kur Selam Musai, kap nga gryka topin e trupave italiane.
Këtij profili artistik, ai vazhdoi t'i qëndronte "besnik" në një pjesë të madhe të krijimtarisë. Bani ishte i prirur ndaj kompozimit, si një gjini e vështirë por mjaft domethënëse në punën e një piktori. Ai thoshte se, kompozimi dallon vlerat e një krijuesi, pjekurinë e tij artistike, talentin. Sigurisht, alternuar edhe me drejtime të tjera. Brenda këtij koncepti, piktori vlonjat, mbeti idhtar i artit realist, i shfaqur në të gjitha alternativat e tij. Duke bërë një krahasim me pikturën alternative, moderne, ai thoshte se ajo ka një element të spikatur ngjyrat, ndërkohë që arti realist ka në përbërje të vet, formën, vëllimin, përmbajtjen, linjat, dinamizmin, gjithçka jetësore që e bën atë të pavdekshme./ATSH/