VLORE - Krimi makabër trondit Vlorën. Nënë e bir të moshës përkatësisht 73 dhe 43 vjeç vriten në banesë gjatë natës, ndërsa autorët kanë djegur trupat duke i vënë flakën banesës. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, viktimat, 73-vjeçarja Salke Hoxhallari dhe djali i saj 43 vjeçar, Olsi Hoxhallari, kanë të çara në trup, duke ngritur dyshimet se ata mund të jenë vrarë barbarisht me sëpatë. Mësohet se 43-vjeçari ka një të çarë në kafkë të shkaktuar nga mjete prerëse (dyshohet se është goditur me sëpatë), ndërsa e ëma, ka prerje në fyt.

Nënë e bir janë goditur barbarisht gjatë kohës kur kanë qenë në gjumë. Policia dyshon se kemi të bëjmë me vrasje, ndërsa për të fshehur gjurmët, autorët i kanë vënë flakën banesës duke hapur bombolën e gazit. Në këtë moment banesa është përfshirë edhe nga flakët duke shkrumbuar viktimat. Policia ka shoqëruar të afërmit e Salke dhe Olsi Hoxhallarit për t'i marrë në pyetje nëse viktimat kanë pasur probleme në të kaluarën me persona të tjerë. Ndërkohë që një nga pistat në hetim është edhe krimi në familje. 

Banesa një katëshe ndodhej në afërsi të pyllit të “Sodës” në lagjen ''1 Maji'' të qytetit të Vlorës. Salke Hoxhallari dhe djali i saj Olsi ishin me origjinë nga Korça dhe jetonin prej 15 vitesh në Vlorë.