Vlorë/ Nis pastrimi i Kanalit të Ujrave të Larta, nuk ishte ndërhyrë prej 25 vitesh

/ATSH-Harilla Koçi/.-Bashkia e Vlorës nisi të shtunën pastrimin e Kanalit të Ujrave të Larta të qytetit, në një nga segmentet më të rëndësishme të tij, atë që përshkon lagjen "10 Korriku", në një gjatësi prej disa qindra metrash.
Pjesë e kësaj pune është heqja e baltës, materialeve të ngurta e mbetje të ndryshme, që kanë bllokuar këtë segment dhe që janë shndërruar në një përzierje kompakte, duke e nxjerrë atë tërësisht janë funksioni. Specialistë të Bashkisë, pohojnë se diametri i këtij kanali është pothuajse 100 përqind i zënë nga një masë kompakte, çka e nxjerr praktikisht jashtë funksioni këtë arterie të rëndësishme të shkarkimit të ujrave që grumbullohen si pasojë e reshjeve të shiut.
Në një prononcim për ATSH-në, kryebashkiaku Dritan Leli, bën të ditur se, në këtë kanal nuk ishte ndërhyrë prej 25 vjetësh, çka përbën një fakt absurd. "Vendosëm të realizojmë pastrimin e këtij kanali, një nga arteriet më të rëndëishme të sistemit të kanalizimeve të qytetit, çka përbën një veprim të rëndësishëm, në kuadrin e masave që kemi planifikuar dhe të ndërhyrjeve konkrete, për të parandaluar situata të ngjashme me atë të 10 tetorit", saktësoi Leli. Sipas tij, prej javësh po ndërhyhet edhe në segmente të tjera të sistemit të kanalizimeve në qytet, por puna e ditës së sotme, është një ndër veprimet më të rëndësishme për shkak të peshës që ka ky kanal, në grumbullimin e ujrave të larta dhe ujrave me burime të tjera. Kjo u evidentua edhe në situatën që u krijua nga reshjet e datës 10 tetor, kur mosfunksionimi i këtij kanali, shkaktoi përmbytje masive të zonës, çka solli nevojën e ndërhyrjeve të improvizuara për shkarkimin e ujrave në det.
Në këto kushte, Bashkia ka hartuar një plan ndërhyrjeje për pastrimin dhe vënien në funksion të sistemit të kanalizimeve në qytet, në një pjesë të madhe të të cilit, nuk ishte vënë dorë prej vitesh. Pjesë e kësaj ndërhyrjeje, është edhe pastrimi i kanaleve të ujrave të lartë, që përfshihen në akset kryesore të sietemit të kanalizimeve.
Një ditë më parë, u realizua pastrimi masiv i qytetit, në shenjë solidariteti me aksionin kombëtar "Të pastrojmë Shqipërinë". Hapësira kryesore ku u fokusua ky aksion, ishte bulevardi Vlorë-Skelë, ku, përveç pastrimit u bë edhe larja intensive dhe dezifektimi i rrugës dhe trotuareve pargjatë saj.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai