Vlorë, 4 tetor/ATSH-Harilla Koçi/.- Një projekt me një vlerë prej rreth 78 milionë lekë, financuar nga Qeveria Shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, synon ta shndërrojë një prej zonave informale në periferi qytetit të Vlorës, në një hapësirë me standarde bashkëkohore infrastrukturore.
Projekti Pilot i Integrimit të Zonës Informale në lagjen "Kushtrimi", që ka nisur në muajin qershor dhe që pritet të përfundojë brenda muajit të ardhshëm, vlerësohet si një nga investimet model në këtë drejtim, me përfitime konkrete për komunitetin e banorëve. Ai parashikon rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugëve, rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve, plotësimin me ndriçim, ndërtimin e këndeve sportive, si dhe të një kopshti për fëmijë.
Ky projekt është hartuar mbi bazën e një studimi të përgatitur nga Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me projektin atë USAID dhe me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Studimi ka vlerësuar mundësinë për hartimin e projektit si një model për integrimin e zonave informale. Integrimi realizohet përmes investimeve në infrastrukturat e zonës, rrugët, hapësira publike dhe gjelbërimi, ndriçimi publik, furnizimi me ujë, largimi i ujërave të zeza, propozimi për një kopësht dhe për hapësira sportive.
Projekti shtrihet në një bllok banimi në afërsi të zonës së njohur si ish-fusha e Aviacionit, në lagjen "Kushtrimi", ku aktualisht një pjesë e banesave dhe parcelave janë drejt përfundimit të procesit të legalizimit, disa të tjera janë në fazën përgatitore, ndërkohë që ekzistojnë edhe ndërtime të ngritura pas vitit 2007 apo edhe pas vitit 2009.
Qëllimi i projektit është ofrimi i një modeli për integrimin e zonave informale, përmes investimeve në infrastrukturë për rigjenerimin urban të lagjeve të banimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës. Krahas kësaj, synohet të krijohet një model suksesi në bashkëpunimin mes Bashkisë, qeverisjes qendrore, komunitetit të banorëve dhe sipas rastit edhe projekteve të donatorëve. Ky model investimi pritet të replikohet edhe në zona të tjera të ngjashme në Shqipëri.
Sipërfaqja aktuale e zonës ku shtrihet investimi është 6.4 ha dhe prej tij përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 90 familje, 4 biznese të mëdha, si dhe të tjera biznese të vogla.  Projekti parashikon sinjalistikë vertikale si dhe horizontale për sigurinë rrugore.
Punimet për zbatimin e këtij projekti u inspektuan edhe nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, e cila shoqërohej edhe nga kryetari i Bashksë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe prefektja e Qarkut, Etjona Hoxha.
Në një takim me banorë, ministrja Gjermeni u njoh me problematikat e kësaj  zone ku kanë munguar tërësisht investimet. Në një prononcim për median, ministrja Gjermeni bëri të ditur se të tjera projekte do të zbatohen në qytetin e Vlorës, një prej të cilëve është ai i përfundimit të autostradës Vlorë-Levan, duke realizuar edhe bashkimin e saj me aksin rrugor të "Transballkanikës", një investim që pritet të përfundojë përpara sezonit turistik veror të vitit të ardhshëm.
Po ashtu, ajo pohoi se në muajin nëntor pritet të nisin punimet për projektin e Shetitores së Bregdetit. /a.ke/