-Dossier-
Vlorë, 2 mars/ATSH-Harilla Koçi/.- Një portret i panjohur i Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i punuar në shek XVI, është zbuluar në arkivat e shtetit fqinj të Italisë. Ai është i ndryshëm nga perceptimet e deritanishme për Skënderbeun dhe nuk ngjason aspak me pamjen që jemi mësuar të shohim në libra të historisë. Heroi Kombëtar shfaqet si një luftëtar me përkrenare dhe veshje lufte të ndryshme nga ajo që përdoreshin nga shqiptarët. Zbulimi i këtij portreti është rrjedhojë e punës shumëvjeçare të studiuesit dhe historianit vlonjat, Fahri Shaska. Ai thotë për ATSH-në se, "portreti i panjohur i Skënderbeut, i punuar në një kupë porcelani, është zbuluar në Arkivën e Shtetit në Siena (Itali) dhe ka një histori krejt të veçantë".
Portreti
Sipas Shaskes, portreti i përket vitit 1535 dhe është realizuar në zonën e Fuencas në jug të Italisë. Në këtë zonë, me traditë në punimin e porcelanit, ekzistonte edhe një tendencë për t'i pasuruar dhe zbukuruar prodhimet artistike me portrete të personazheve të shquara të historisë. "Në atë kohë, në punimin e sendeve prej porcelani në këtë zonë, ekzistonte një stil punimi, i emërtuar "bello", që konkretizohej në zbukurimin e prodhimeve me portrete të njerëzve të shquar", thotë Shaska. Pjesë e kësaj tradite, sipas tij, është edhe një kupë me lartësi 28.5 cm, në faqen e së cilës është pikturuar portreti i Heroit Kombëtar. Shaska shprehet se, autori i këtij portreti është i panjohur. "Nuk ka asnjë të dhënë nëse autori i ka qëndruar besnik pamjes së Skënderbeut, apo e ka ravijëzuar atë nga një perceptim individual, nisur nga fama e heroit të shqiptarëve", thotë historiani vlonjat.
Ndoshta autori, një piktor i panjohur italian, në punimin e tij është nisur nga emri dhe fama e Skënderbeut, duke mos u ngacmuar nga asnjë element real i pamjes së tij fizike. Në fakt edhe zona ku është realizuar ky punim artistik, ndodhet pranë Napolit, ku Skënderbeu udhëhoqi ekspeditën e famshme për t'i ardhur në ndihmë Alfonsit, mikut dhe aleatit të tij. Ndoshta edhe ky moment, krahas motiveve të tjera, mund të ketë shërbyer si arsye që portreti i Skënderbeut të fiksohej në mënyrë të tillë, në një punim artistik të traditës në rajonin e Fuencas. "Heroi Kombëtar paraqitet në të si një luftëtar me përkrenare dhe veshje lufte që nuk ngjasojnë aspak me ato që kanë mbërritur prej tij dhe që ruhen në Muzeun Kombëtar të Vjenës", thotë Shaska, duke shtuar se, kjo përkrenare dhe kjo veshje nuk përputhen aspak me ato që përdoreshin në Shqipëri. Megjithatë, sipas tij, ky portret i panjohur, reflekton peshën, famën dhe emrin e Skënderbeut përtej Adriatikut dhe më gjerë, si një luftëtar i madh që doli fitimtar ndaj perandorisë më të fuqishme të kohës dhe që frenoi invazionin turk në Perëndim.
Historia e rrugëtimit të portretit
Ky portret, krahas dokumentave të tjerë origjinalë që lidhen me Skënderbeun, ekziston në Arkivin e Shtetit në Siena (Itali). Në të paraqitet edhe rruga që ka ndjekur në histori kupa e porcelanit, fati i së cilës aktualisht nuk dihet. Shaska thotë se, deri në vitin 1939, kupa e porcelanit me portretin e Skënderbeut ka qenë e ekspozuar në Muzeun e Napolit. Në këtë vit, sipas dokumenteve, ajo u ble nga një pasanik francez nga Monako, i cili e vendosi atë në një koleksion privat në Paris. Prej këtij momenti, nuk dihet se çfarë ndodhi më tej me këtë kupë, ndërkohë që, pamja e saj ishte fiksuar në celuloid dhe bashkë me historikun, ishte bërë pjesë e Arkivës së Shtetit në qytetin e Sienas. Dokumenti origjinal, shoqërohet me shënimin tregues të këtij portreti që dallohet fare qartë edhe në foto.
Deri pak vite më parë, ajo ishte pjesë e arkivës së pasur të patriotit nacionalist Sulejman Meço, që jetonte në SHBA. /a.ke/












