Vlorë- Në Galerinë e Arteve të Vlorës u çel ekspozita "Art zemre për Shqipërinë time", një aktivitet që u organizua nga Shkolla Speciale e këtij qyteti, me mbështetjen e Bashkisë, Drejtorisë Rajonale të Arsimit, në kuadër të 70-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe 25 vjetorit të Konventës "Për të Drejtat e Fëmijëve".
Nxënës me nevoja të veçanta të Shkollës Speciale ishin protagonistë të këtij aktiviteti, me punime në pikturë dhe aplikacione, të realizuara duke shfrytëzuar materiale të riciklueshme. Po ashtu, një pjesë të madhe të punimeve të ekspozuara e zinin kartolinat e llojeve dhe dizenjove të ndryshme, kryesisht me tematikën e festave të nëntorit.
Kjo ekspozitë, sipas organizatorëve, synonte promovimin e vlerave të punës së nxënësve me nevoja të veçanta. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm qytetarë, prindër, specialistë të fushës së aftësisë së kufizuar, drejtues të Drejtorisë Arsimore, të cilët vlerësuan përpjekjet e nxënësve për të realizuar një ekspozitë të tillë.
Organizatorët e kishin konceptuar këtë aktivitet edhe si një mundësi për të siguruar të ardhura minimale për nevojat e nxënësve kësaj shkolle, çka do të mundësojë organizimin e Festave të Fundvitit. Për këtë qëllim, çdo punim i ekspozuar kishte edhe një çmim modest. /ATSH/