Vlorë - Pronari dhe administratori i një lokali në Vlorë kanë rënë në prangat e policisë.
Arbër Lena, 32 vjeç dhe Sadiel Troka, 42 vjeç organizonin lojëra fati me kompjutera dhe çipsa pokeri.
Nga hetimet e kryera rezultonte se 32 vjeçari ishte në kërkim nga Policia e Beratit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan 7 pajisje kompjuterike të përdorura për lojëra fati, 1 valixhe me çipsa pokeri dhe 1 përforcues metalik grushti.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Game Over”.
Gjatë operacionit të zhvilluar, në lagjen “24 Maji”, në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit A. L., 32 vjeç, u konstatua se zhvillohej aktivitet i kundërligjshëm i organizimit të lojërave të fatit.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. L., 32 vjeç, pronar i ambientit;
S. T., 42 vjeç, administrator i lokalit.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pajisje kompjuterike të përdorura për lojëra fati, 1 valixhe me çipsa pokeri dhe 1 përforcues metalik grushti.
Gjithashtu, gjatë verifikimeve rezultoi se shtetasi A. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Berat, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Komente








