/ATSH-Harilla Koçi/.- Rimorkiatori "Iliria", që u përfshi të martën në operacionin e shpëtimit në tragetin "Norman Atlantik", ku humbi dy nga pjesëtarët e ekipazhit të vet, u ankorua rreth orës 15.40 në një nga kalatat e portit të Vlorës.

Megjithëse kushtet detare ishin relativisht më të mira, krahasuar me ditët e fundit, mjeti lundrues u ankorua pas disa manovrimeve që zgjatën rreth 30 minuta. Madje, gjatë këtyre manovrimeve nuk ka munguar edhe një incident i vogël, kur, njera prej cimave u këput por pa asnjë pasojë.

Rimorkiatori "Iliria" ishte pjesë e mbështetjes që ofruan strukturat detare të Shqipërisë, në mbështetje të operacionit tyë shpëtimit të tragetit "Norman Atlantik", që u përfshi nga flakët gjatë lundrimit në linjën detare Korfuz-Ankona.

Gjatë këtij operacioni, në mjetin lundrues shqiptar ndodhi një aksident, si pasojë e të cilit humbën jetën dy nga pjesëtarët e ekipazhit, Edmond Hila dhe Petrit Jahja, respektivisht 57 dhe 59 vjeç. Rimorkiatori "Iliria" po ndihmonte në operacionin e tërheqjes së tyragetit Italian, por, gjatë hedhjes së kavove dy prej tyre u këputën, duke dëmtuar marinarët shqiptarë, njeri prej të cilëve ndërroi jetë menjëherë. Trupat pa jetë të Hilës dhe Jahjas u dërguan mesditën e sotme në morgun e spitalit të Vlorës.

Ndërkohë, informacionet për destinacionin e ankorimit të tragetit "Norman Atlantik", janë kontradiktore. Ende nuk ka një konfirmim të saktë për drejtimin e tërheqjes së tij, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se ai do të ankorohet në portin Italian të Brindisit.