Një zjarr ka përfshirë mesditën e sotme zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pranë tunelit.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se flakët kanë përfshirë një kabinë të ujësjellësit, e cila shërben për shpërndarjen e ujit në këtë zonë. Dyshohet se zjarri ka nisur nga pjesa kodrinore dhe më pas është përhapur drejt kabinës.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.

Ndërkohë Drejtoria vendore e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë ka njoftuar se për shkak të zjarrit, transformatori i Stacionit Nr. 2 të Ujësjellësit, në zonën e “Ujit të Ftohtë”, është aktualisht jashtë funksionit.

Ujësjellës Kanalizimet po ashtu njoftojnë se ka nisur punën për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar, teksa theksojnë se gjatë pasdites së sotme mund të ketë kufizime ose luhatje në furnizimin me ujë në disa zona fundore

Njoftimi i drejtorisë vendore të Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë:

NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Ju bëjmë me dije se transformatori i Stacionit Nr. 2 të Ujësjellësit, në zonën e “Ujit të Ftohtë”, është aktualisht jashtë funksionit, si pasojë e një zjarri të konstatuar gjatë ditës së sotme.

Falënderojmë Shërbimin Zjarrfikës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe punën e kryer për shuarjen e zjarrit dhe vendosjen e situatës nën kontroll.

Ndërkohë, OSHEE ka nisur punën për zëvendësimin e transformatorit të dëmtuar.

Për shkak të kësaj situate, gjatë pasdites së sotme mund të ketë kufizime ose luhatje në furnizimin me ujë në disa zona fundore.

Ekipet e Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë dhe OSHEE vijojnë punën për rikthimin e situatës në normalitet në kohën më të shkurtër të mundshme.

Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!


Lajmi kryesor:

Flakët përpijnë Lurën, riaktivizohet vatra në Patos e Krujë! Zjarret ‘djegin’ shefin e zjarrfikëseve, largohet Cara! Sërish flakë në Dajt (VIDEO)