Vlorë, 2 shkurt/ATSH-Harilla Koçi/.- Efektivat e policisë së Vlorës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ato të Repartit Delta Force e të Forcave të Armatosura, kanë evakuuar gjatë 48 orëve të fundit 98 persona, banorë të fshatrave në komunën e Novoselës, të cilat janë përmbytur si pasojë e daljes nga shtratit të ujrave të lumit Vjosë.
Për të realizuar këtë operacion, janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme, duke përfshirë gomone, transport nga ajri përmes helikopterëve. Gjatë një operacioni në mesditë, u shpëtua edhe shtetasi Rrapo Tiko, i cili ishte izoluar në stanin e tij në vendin e emërtuar "Bishti i Malit", përgjatë rrugës Vlorë-Selenicë.
Aktualisht, policia po mban kontaktet e nevojshme me banorë të fshatrave të kësaj komune, për të ndërhyrë në rastet e emergjencës, kur kërcënohet jeta e tyre.
Në mjaft raste, banorët edhe pse ndihen të rrezikuar, nuk pranojnë të braktisin banesat dhe për t'i lënë ato nën pushtetin e ujrave. /a.ke/