Vlorë, 4 shkurt/ATSH-Harilla Koçi/.- Dalja nga shtrati e lumit Vjosë dhe vërshimi i ujrave në zonën e komunës Novoselë, rrezikoi të mërkurën dëmtimin e argjinaturës mes lagunës së Nartës dhe fushave të Kripës. Ujrat e shumta të grumbulluara në formën e një liqeni masiv në fushat e prodhimit të Kripës, u shndërruan në një faktor kërcënues ndaj argjinaturës, që e ndan atë me lagunën e Nartës.
Drejtori i Bordit të Kullimit, Apostol Qirko, tha për ATSH-në se, prej 4 ditësh ujrat e grumbulluara në këtë zonë, shumë pranë detit dhe lagunës, u bënë një rrezik potencial për argjinaturën". Sipas tij, lartësia e këtij liqeni të krijuar rishtaz u rrit me një intensitet të lartë, çka rrezikoi seriozisht daljen e ujrave mbi argjinaturë. Në këto kushte, u ndërhy me shpejtësi duke marrë masat e duhura, çka parandaloi dhe shmangu plotësisht rrezikun e një përmbytjeje të re, që do të kishte si destinacion fshatin Nartë e më gjerë. U hapën në mënyrë të kontrolluar portat e shkarkimit në të dy frontet me detin, duke përfshirë edhe ato të lagunës, ndërkohë që u morën masa për të mbajtur në funksion të plotë hidrovorët e Akërnisë dhe të Nartës.
Paralelisht me këtë, u ndërhy me të gjitha mjetet për rritjen e lartësisë së argjinaturës, si mënyra më efektive për të parandaluar vërshimin e ujrave të lumit mbi lagunë, çka do të thoshte një front i ri përmbytjeje, me përmasa të rënda. Për orë të tëra, kamionë të subjekteve të ndryshme të ardhur nga Vlora, nga Durrësi, e qytete të tjera të vendit, u vunë në funksion të kësaj pune tepër intensive për hedhjen mbi argjinaturë dhe depozitimin e gurëve me përmasa të mëdha. "Është një punë e shkëlqyer, që ne po e organizojmë me mjaft efikasitet", thotë për ATSH-në, prefektja Etjona Hoxha. Ajo thekson se thirrjes së shtabit të emergjencës ju përgjigjën mjaft firma, që ofruan ndihmën e tyre me kamionë të rëndë. "Falenderoj të gjitha ato subjekte të shumta që u afruan vullnetarisht për të ndihmuar me mjete të rënda transporti dhe gjithçka tjetër që të kryhet në një kohë rekord forcimi dhe rritja e nivelit të argjinaturës me më shumë se 50 cm", thotë Hoxha. Ajo garantoi se, nuk ka asnjë rrezik, asnjë pasojë për një përmbytje të re. Të gjitha ndërhyrjet e kryera kanë qenë mjaft efektive dhe puna po vazhdon ende me intensitet.
Janë më shumë se 30 kamionë që janë vënë në rradhë për të shkarkuar masivë gurësh mbi argjinaturën që ndodhet disa km larg autostradës Fier-Vlorë, në afërsi të Kripës. Ndërkohë, situata në zonat e tjera te komunes Novoselë sot ishte më e përmirësuar krahasuar me një ditë më parë. Niveli i ujrave të lumit Vjosë ra me rreth 1.5 metra, ndërkohë që dolën mbi ujë edhe rreth 1000 hektarë të tjerë.
Në këtë komunë, po vazhdon shpërndarja e ndihmave me ushqime dhe veshmbathje, të ofruara nga Qeveria Shqiptare, Kryqi i Kuq dhe organizata jo fitimprurëse. Në fshatin Novoselë, sipërfaqe të kufizuara toke bujqësore janë ende nën pushtetin e ujrave, ndërkohë që qarkullimi i automjeteve në aksin e vjetër rrugor Fier-Vlorë u normalizua plotësisht. Pjesa më e madhe e tokave bujqësore të përmbytura, tashmë ndodhen në fshatrat Bishan, Fitore, Dëllënjë etj. /a.ke/










