Vlorë, 5 shkurt/ATSH-Harilla Koçi/.- Policia e Vlorës bllokoi të enjten tre automjete tip autoveturë 6+1, që përdoreshin për transport publik interurban udhëtarësh, drejtuesit e të cilave nuk ishin pajisur me liçensat përkatëse.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, u bllokuan dhe më pas u konfiskuan automjetet "Ford Galaxy" me targa AA355KO, "Ford Galaxy" me targa AA105FZ, "Wolksvagen Sharon" me targa AA932FY, të cilat u kapën nga shërbimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor duke transportuar pasagjerë pa u pajisur me gjithë dokumentacion e nevojshëm për këtë aktivitet.  Krahas kësaj, nga shërbimet e policisë së qarkullimit rrugor  janë ushtruar kontrolle të dokumentacionit për të gjitha mjetet që operojnë në transportin publik interurban të udhëtarëve, si dhe janë marrë  masa administrative (gjobë) për të gjitha ato automjete që nuk respektonin stacionet e nisjes.
Për këtë qëllim, në 5 raste janë pezulluar liçensat e transportit dhe në 30 raste u aplikuan masa  administrative me sanksione financiare. /a.ke/