Vlorë, 5 janar/ATSH-Harilla Koçi/.-Mjetet e Njësisë së Lëvizshme Territoriale të Kufirit dhe Migracionit, Delta Forcë, të Vlorës, shpëtuan sot dy peshkatarë që rrezikonin të mbyteshin në det.
Policia lokale bëri të ditur për ATSH-në se dy peshkatarët nga qyteti i Vlorës, kishin dalë për peshkim në hapësirën detare të gjirit të Vlorës, por u vunë përballë rrezikut të mbytjes, për shkak të një defekti në motorrin e mjetit të lundrimit.
Kanë qenë të afërmit që kanë njoftuar policinë për situatën ku ndodheshin dy peshkatarët, duke dhënë edhe informacionet përkatëse. Menjëherë pas kësaj, u organizua operacioni i shpëtimit, ku u përfshinë shërbimet e Njësisë Delta Force, që përcaktuan vendndodhjen e barkës dhe ndërhynë në kohë për nxjerrjen e saj në breg në afërsi të vendit të emërtuar "Kalaja".
Policia saktësoi se, shkak për situatën e krijuar ishin përmasat e vogla të mjetit lundrues dhe fuqia e ulët e motorrit të tij./i.v//a.ke/












