Policia e Vlorës njofton se ka vënë në pranga 1 shtetas dhe ka proceduar penalisht 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
"Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin V. S., 22 vjeç, banues në fshatin Çukë, Sarandë, për veprën penale "Vjedhja” e mbetur në tentativë, pasi dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit K. D., banues në fshatin Çukë, Sarandë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, shtetasit: K. P., banues në Lukovë, D. L., banues në Sarandë dhe A. B., banues në Borsh, pasi shtetasi P. P., banues në Vlorë, ka bërë kallëzim se këta shtetas kanë shpërdoruar detyrën si funksionarë në Njësinë Administrative Lukovë, duke falsifikuar disa dokumente. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme proceduan penalisht shtetasin V. Q., 68 vjeç, banues në Mifol, Vlorë, për veprën penale "Trafikimi i mjeteve motorike", sepse dyshohet se ka trafikuar një mjet që rezulton i vjedhur në Belgjikë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftim.