Me rastin e 75 vjetorit të lindjes së studiuesit, poetit, publicistit vlonjat Foto Bixhili, biblioteka publike "Shevqet Musaraj" Vlorë, Shoqata Atdhetare Kulturore "Ismail Qemali" dhe shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës,  organizuan një takim në mjediset e kësaj biblioteke për të promovuar krijimtarinë e tij në vite.Studiuesi Foto Bixhili është autor i disa librave studimorë për krahinën e Himarës, mes të cilave "Himara në optikën e kohës", "Dhërmiu, Dhrimadhet e Akrokerauneve", "Jipet e iperit, Himariotët", "Jetërrëfime", "Triptiku i shenjtë i martesës, kodi etik i familjes", "Kopshti i viteve" etj.

Bixhili, i lindur në fshatin Dhërmi, ku ka marrë edhe mësimet e para dhe ku nisi edhe rrugën e jetës, ka punuar si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në disa zona të vendit. Ky fakt, sipas studiuesve vlonjatë, ka shërbyer si një faktor nxitës për të krijuar tek ai dimensionin e një hulumtuesi tek traditat e zonës ku ai ka origjinën, por edhe më gjerë.
Në takimin promovues të krijimtarisë së tij ishin të pranishëm mjaft intelektualë, poetë dhe shkrimtarë, miq dhe bashkëfshatarë të autorit.

Mbi jetën dhe veprën e autorit Foto Bixhili folën shkrimtari Eqerem Canaj, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe "Mjeshtër i Madh", shkrimtari Çlirim Hoxha, poetja dhe përkthyesja Laureta Petoshati, Telo Kolagji, Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare "Labëria" Vlorë, poeti, studiuesi dhe publicisti Albert Habazaj, Faslli Koçiu, Seri Xhaferi, shkrimtari Astrit Hajdini, Remzi Gjika, këngëtari i grupit të bregdetit të Himarës, poeti dhe shkrimtari Kristo Çipa etj.

Në përfundim, autori Foto Bixhili falënderoi të pranishmit dhe diskutantët për fjalët e ngrohta që thanë për krijimtarinë e tij.Më pas Grupi i Bregdetit të Himarës krijoi një atmosferë festive në sallë me këngë nga repertori i krahinës. 

ATSH