Vlorë, 31Janar  /ATSH-Harilla Koçi/.-Rritja e ndjeshme e prurjeve të lumit Vjosë, si pasojë e reshjeve gjatë 24 orëve të fundit, ka krijuar një situatë emergjence në zonat që përshkon shtrati i këtij lumi, veçanërisht në komunën e Novoselës, 20 km në veri të Vlorës.
Aktualisht, niveli i ujrave ka arritur në kuota pothuajse maksimale, ç'ka rrezikon të shkaktojë përmbytje në këtë komunë.
Situata paraqitet më e rënduar në fshatrat Fitore e Bishan, ku janë njoftuar banorët të përgatiten për një evakuim.
Aktualisht, Prefekti i Qarkut, Këshilli i Qarkut dhe institucionet e tjera lokale, kanë ngritur Shtabin e Emergjencave Civile, që është vënë në funksion të plotë duke mbajtur nën monitorim situatën. Burime nga institucioni i Prefektit të Qarkut bënë të ditur për ATSH-në se, po merren të gjitha masat e nevojshme që të shmangen pasoja që mund të shkaktohen nga përmbytjet. Prefektja e Qarkut, Etjona Hoxha, mësohet se po koordinon në terren punën e institucioneve që janë përfshirë në këtë situatë.
Mësohet gjithashtu se, niveli i ujrave të Vjosës, është rrjedhojë e prurjeve nga Gjirokastra, Tepelena e Përmeti. e.xh/ /a.g/