Vlorë, 29 janar/ATSH-Harilla Koçi/.- Në vijim të operacionit antidrogë dhe hetimeve pas zbulimit të punishtes së paketimit të lëndëve narkotike në një banesë në fshatin Mifol të komunës Novoselë, policia e Vlorës shpalli në kërkim dy persona, ndërkohë që sekuestroi 103 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Në një komunikim me median, policia lokale zyrtarizoi rezultatet e operacionit të koduar "Mifoli", që filloi orët e vona të të mërkurës dhe vazhdoi gjatë gjithë natës, duke u gdhirë e enjte. Sipas policisë, operacioni që nisi mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u konkretizua me bllokimin e një punishteje që ndodhej në banesën e shtetasit A.V, ku realizohej paketimi i lëndës narkotike të llojit kanabis sativa.
Gjatë kontrollit u zbuluan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 103 kg lëndë narkotike e llojit "canabis sativa", nga të cilat 55 kg ishin paketuar, 1 presë metalike 20 T, që shërbente për të realizuar procesin, një sasi e konsiderueshme ngjitësi dhe materiale plastike, automjeti tip "Mercedes-Benz Sel-280" me targë VL 1536 C, automjeti tip "Mercedes-Benz 250" me targë AA636 CY, automjeti tip "Nisan Patrol" me targë GJ 8253 A.
Në vijimësi të hetimeve u shpallën në kërkim, 37 vjeçari Agron Velaj, pronari i banesës, si dhe shtetasi me iniciale L. V., të dyshuar si autorë të këtij aktiviteti të paligjshëm. Paraprakisht mendohet se, lënda narkotike paketohej dhe trafikohej në drejtim të Italisë. Në bashkëpunim me organin e Prokurorisë janë duke u kryer hetime të mëtejshme. /a.ke/











