Jurges Gurthi dhe Egent Alku, përkatësisht 27 dhe 45 vjeç, janë arrestuar nga policia e Vlorës pasi janë kapur duke udhëtuar me armë në makinë.
Arrestimi i tyre u krye në kuadër të operacionit ‘Strike’. Ata u ndaluan teksa udhëtonin me makinën ‘Volkswagen’ me drejtues Jurges Gurthi, dhe pasagjer Egent Alku, ky i fundit me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës.
Gjatë kontrollit në makinën e tyre u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Arma e zjarrit dhe municioni luftarak, së bashku me automjetin dhe 2 celularë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:10
Balla bën ‘bilancin’: 29 të arrestuar e të vënë në hetim në kuadër të operacionit ‘Tempulli’ e ‘Sundimi i Ligjit’
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë ‘bilancin’ e operacionit Tempulli dhe Sundimi i Ligjit në 72 orët e fundit. Ministri bën me dije se 29 persona janë arrestuar dhe vënë nën hetim në kuadër të këtyre operacioneve, në Durrës, Vlorë, Elbasan, Kavajë, Tiranë, Muriqan dhe Rinas.
Balla thotë se mbetet synim goditja e kultivuesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike.
“Operacioni “Sundimi i ligjit” po largon çdo ditë nga komunitetet personat me rrezikshmëri të lartë, persona në kërkim apo ata të cilët posedojnë armë pa leje. Goditja e kultivuesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike vijon çdo ditë, me qëllimin e mbrojtjes së shëndetit të të rinjve dhe çdo qytetari tjetër nga rreziku që sjell përdormi i tyre. Paketa e Sigurisë shkolla është e lidhur ngushtësisht me operacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, duke synuar pastrimin e perimetrit të sigurisë së shkollave nga shpërndarësit e drogës”, shkruan Balla.