Mungesa e investimeve ka bërë që godina e qendrës shëndetësore në fshatin Akërni në Vlorë të shkojë drejt degradimit. Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Vlore pretendon se qendra nuk është funksionale, por nga vëzhgimi i Report tv konstatohet se ajo ofron shërbime. Banorët evidentojnë se mungojnë edhe medikamentet.

Kjo godinë e rrënuar për shkak të mungesës së kujdesit dhe investimeve është qendra shëndetësore e fshatit Akërni në Vlorë.

Lagështira ka bërë që suvaja të bjerë, ndërsa mungesa e kushteve higjeno-santinare është një problem i vjetër.

E njëjta panorame si në pamjen e jashtme paraqitet edhe në ambientet e brendshme të qendrës shëndetësore, ku kushtet lënë për të dëshiruar.

Drejtori Rajonal i Shëndetit Publik në Vlorë, Myzafer Islamaj u shpreh për Report tv se kjo qendër nuk është funksionale pikërisht për shkak të kushteve.

Deri më sot kemi bllokuar tre njësi, njëra është ambulanca e fshatit Akërni, ku për shkak të përmbytjeve është pezulluar aktiviteti dhe i është dhënë e drejta të gjejë një ambient të ri”, shprehet Drejtori Rajonal i Shëndetit Publik në Vlorë, Myzafer Islamaj.

Por mesa duket zoti Islamaj nuk është i informuar se qendra pavarësisht mungesës së kushteve ofron shërbim mjekësor për banorët e zonës.

Ndërkohë banorët e zonës shprehen për Report tv se prej vitesh nuk është vënë dorë në këtë objekt.

Ata të indinjuar kërkojnë që situata të ndryshojë teksa shtojnë se mungojnë edhe ilaçet.

Banorët e zonës thonë se, “këtu nuk ka doktorë, çfarë bie jashtë, bie brenda, ku të 'mbytemi'. Sa të shkoj deri në Vlorë vdes rrugës. Kushtet nuk i kemi shumë të mira, doktori vjen tre herë në javë, ndërsa infermieret i kemi pothuajse çdo ditë”.

Në këtë qendër shëndetësore marrin shërbim rreth 400 banorë të Akërnisë.

Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com