Vlorë, Rama mbledh qeverinë,
analizë për gjashtëmujorin

Vlorë, Rama mbledh qeverinë,<br />analizë për gjashtëmujorin
TIRANE- Kryeministri Edi Rama bën analizën e gjashtëmujorit të qeverisjes e të realizimit të prioriteteve qeverisëse, pikërisht aty ku mori jetë dhe kabineti i ri qeveritar me mbledhjen e parë, në qytetin e Vlorës.


Në qytetin bregdetar të Vlorës, ku kanë nisur projektet e para qeverisëse të mazhorancës së majtë, që vinte në pushtet pas tetë vitesh në opozitë, kreu i qeverisë Rama ka preferuar të startojë dhe analizën e punës së ministrave të nisur këtu 6 muaj parë.

Kështu, gjithë kabineti qeveritar ka udhëtuar dje drejt jugut në një fundjavë intensive, teksa, përtej veshjes zyrtare, pas mesdite, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, janë mbledhur në Hotel ‘Partner’ në Vlorë. Kreu i qeverisë është parë dje të zbriste shumë larg sallës ku do të zhvillohej mbledhja e qeverisë, për ta përshkuar gjithë rrugën në këmbë, i veshur lehtë dhe pa kostumin e zakonshëm kryeministror, sikurse ka bërë gjithnjë bashkë me ministrat e tij në gjithë mbledhjet që janë zhvilluar jashtë Tiranës dhe larg syve të medias qëndrore të kryeqytetit.

Mbledhja nisi pas mesditës së djeshme dhe ka vijuar deri pas mesnate, ku janë diskutuar një për një realizimet e të gjitha prioriteteve qeverisëse, që kanë të bëjnë me rikthimin e shtetit për qytetarët, një premtim paraelektoral i kryeministrit Edi Rama. Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, një rëndësi të dorës së parë qeverisja e kryesuar nga kryesocialisti i ka kushtuar vendosjes së rendit e kthimit të policisë te qytetari.

Mësohet se Rama ka vlerësuar punën e policisë dhe përkushtimin e uniformave blu në luftën ndaj krimit, duke e lidhur këtë dhe me sukseset më të fundit të policisë që solli arrestimin e vrasësve me pagesë dhe urdhëruesve të këtyre vrasjeve dhe të vendosjes së lëndëve eksplozive, si dhe disiplinimin e rendit e rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë për qytetarët. Njëherësh, vlerësim dhe për arrestimet më të fundit të rekrutuesve dhe financuesve të “xhihadit” për t’i dërguar për të luftuar në Siri, duke shkatërruar celulat që ishin ngritur në Shqipëri. Njëherësh është diskutuar për aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të territorit nga objektet e paligjshme.

Jashtë vëmendjes nuk ka mbetur as reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe sektorët e tjerë të shërbimeve me pikën më të lartë të vëmendjes, atë të punësimit të qytetarëve në sektorin privat dhe atë të prodhimit. Eshtë diskutuar dhe situata ekonomike, pesha e borxheve të lëna nga qeverisja e Berishës, mundësia e ringritjes së vendit dhe njëherësh dhe plotësimi i të gjitha detyrave të lëna nga ana e KE për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor të këtij viti.

Nga ana tjetër nuk kanë munguar dhe kërkesat për një operativitet më të madh në punë dhe për realizimin e tërë prioriteteve qeverisëse, që ka marrë përsipër kjo mazhorancë.
Sot Kryeministri Rama do të realizojë një takim me drejtorët e drejtorive rajonale në Vlorë dhe përfaqësues të së majtës në këtë qark.

Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni

Gjermania do të ridislokojë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot në Poloni