Vlorë - Reshjet intensive të shiut që ranë pa ndërprerje gjatë ditës së djeshme, veçanërisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, krijuan probleme në disa nga segmentet rrugore në qytetin e Vlorës.
Situata më shqetësuese në orët e mbrëmjes ishte në rrugën Skelë-Uji i Ftohtë, në zonën e Skelës, në pjesë të veçanta në bulevardin kryesor të qytetit, etj. Po ashtu, probleme u shfaqën edhe në disa zona periferike të qytetit.
Pavarësisht motit të keq, furnizimi i qytetit me energji elektrike u krye pothuajse  normalisht. Po ashtu, hidrovori punon me kapacitet të plotë, çka vlerësohet si një faktor pozitiv për lokalizimin e vatrave me prezencë uji.
Aktualisht, gjendja është normalizuar, reshjet e shiut për momentin janë ndërprerë, ndërkohë që punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve po punojnë për pastrimin e zonave ku ka prezencë të baltës dhe të prurjeve të tjera. /ATSH/