/ATSH-Harilla Koçi/ -Reshjet e dëborës, që ranë gjatë orëve të natës, kanë krijuar probleme në disa akse rrugore në Qarkun e Vlorës.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, në segmentin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë, qarkullimi i automjeteve prej orës 10.00 bëhet vetëm me zinxhirë. Po ashtu, rruga që lidh fshatrat Kotë e Sevaster, është e bllokuar nga dëbora në vendin e emërtuar Qafa e Dushkut, ndërkohë që po punohet me intensitet për hapjen e saj. Rruga Kotë-Gjorm, është e bllokuar në vendin e emërtuatr Ura e Gjormit, ndërsa në segmentin që përshkon Qafën e Muzinës, pjesë e aksit rrugor Gjirokastër-Sarandë, automjetet qarkullojnë normalisht.

Qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor që përshkon Qafën e Llogorasë, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë, u bllokua në orët e mëngjesit si pasojë e reshjeve të dëborës që ranë gjatë orëve të natës. Por, situate në tëp o përmirësohet në vazhdimësi.

Në këtë zonë, shtresa e dëborës në shtratin e rrugës shkoi në të paktën 15-20 cm, ndërkohë që temperaturat në këtë zonë mësohet të jenë nën "zero" gradë Celsius.
Për të rikthyer normalitetin e qarkullimit, në Qafën e Llogorasë kanë shkuar mjetet borëpastruese dhe punonjës të Autoritetit Rrugor, që po punojnë me intensitet, ndërkohë që paralelisht me heqjen e dëborës, në shtratin e rrugës po hidhen sasira skorjesh, për të parandaluar rreziqet që mund të shkaktohen nga ngricat, si pasojë e vlerave të ulëta të temperaturave.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe rënia e vlerave të temperaturave gjatë ditëve të fundit, u shoqëruan edhe me reshje dëborë që nisën gjatë orëve të natës, duke u gdhirë e mërkurë.