Vlorë, 20 Dhjetor/ATSH-Harilla Koçi/.-Pas 7 vjet ndërprerjeje, në qytetin e Vlorës u zhvillua Edicioni i 35-të i Festivalit të Këngës për Fëmijë, organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe financimin e Bashkisë.
Në këtë aktivitet u paraqitën dhe u bënë pjesë e konkurrimit 20 këngë të autorëve vlonjatë dhe të tjerë, të cilat spikatën për profesionalizmin, larminë e muzikës dhe të teksteve. Për këtë arsye ato u pritën me ngrohtësi nga artdashësit e vegjël dhe të moshave të tjera, që mbushën për dy netë me rradhë sallën e Teatrit "Petro Marko".
Në përfundim, juria vlerësoi me çmim të parë këngën " Mijëra shekuj kjo tokë do të jetojë" , me tekst të Albana Hodaj dhe muzikë të Viktor Rapushi. Gjithashtu u ndanë 2 çmime të dyta dhe 3 të treta, si dhe një çmim për interpretuesin më të mirë. Një element i rëndësishëm dhe i vlerësuar ishte edhe skenografia e realizuar nga "Enea Electronic", ndërkohë që spikati edhe moderimi nga Evi Hoxha.
Edicioni i 35-të i Festivalit të Këngës për Fëmijë, është një nga aktivitetet e shumta që po zhvillohen në qytetin e Vlorës në prag të festave të fundvitit.
Realizimi i këtij aktiviteti, është rrjedhojë e punës me përkushtim të stafit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, me mbështetjen edhe të specialistëve të Teatrit "Petro Marko".
Rikthimi i Festivalit në programin e veprimtarive kulturore të qytetit, vlerësohet edhe si një ridimensionim dhe evidentim i vlerave të munguara. Kjo reflektohet edhe në faktin që, gjatë netëve të këtij aktiviteti, salla e Teatrit "Petro Marko", ishte plot me artdashës të të gjitha moshave.
Gentian Canaj, drejtor i QKF të Vlorës, shprehet se, rikthimi i Festivalit ishte i vështirë por, ai do të vazhdojë të mbetet në vazhdimësi pjesë e vlerave shpirtërore të komunitetit vlonjat.
Sponsor i Përgjithshëm i Edicionit të 35-të të Festivalit të Këngës për Fëmijë, në qytetin e Vlorës, ishte "Enea Electronic"./a.g/












