Vlorë, 1 dhjetor/ATSH-Harilla Koçi/.-Policia e Vlorës bllokoi dhe sekuestroi të hënën, 21 njësi eksplozivi plastik të llojit C4, ndërkohë që arrestoi një 37 vjeçar.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, eksplozivi u gjet gjatë operacionit të koduar "Elizeja", në përfundim të të cilit u arrestua 37 vjeçari Kastriot Preng Prenga, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Vrasje me dashje".
Në momentin e arrestimit, në afërsi të shkollës "Perla" në hyrje të qytetit të Vlorës, Prengës ju bllokua një valixhe brenda të cilës u u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 21 njesi eksplozivi plastik i ngjashëm me C4.
Operacioni u finalizua pas hetimeve 2 mujore në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Renda Tiranë. Sipas policisë dyshohet se, Prenga është pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar që merret me trafikun e lëndëve eksplozive.
Paraprakisht mendohet se, lënda eksplozive ishte siguruar në Mal të Zi dhe një pjesë e saj do të shitej në Shqipëri për llogari të grupeve kriminale vendase, ndërkohë që pjesa tjetër do të trafikohej për në vendet fqinje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme. /a.ke/










