VLORE - Janë sekuestruar ditën e sotme një arsenal armësh në një makinë në pikën e kalimit kufitar në Portin e qytetit të Vlorës. Gjatë operacionit të koduar ”Vizitori” është bërë arrestimi në flagrancë për trafikim të armëve dhe municioneve luftarake i shtetasit Italian Elvis Bozzeti, i datëlindjes 16.03.1978, lindur dhe banues në Brindisi të Italisë.

Mësohet se arsenali i armëve është gjetur gjatë kontrollit në automjetin tip Fiat Multipla me traga BR 530 HH, e cila ishte në pronësi të shtetasit italian.

Përmes një deklarate për mediat policia e Vlorës sqaron se 32-vjeçarit italian i janë sekuestruar:
10 armë zjarri tip automatikë model 56 ( kallashnikov);
13 karikatorë automatiku me rreth 500 fishekë;
15 granata luftarake offensive dhe defensive;
15 ndezësa granate;
50 copë fishekë model 7.65 mm;
50 copë fishekë 9 mm;
1 automjeti tip Fiat Multipla

Ky shtetas kishte ardhur në Shqipëri dy ditë më parë dhe ka siguruar sasinë e mësipërme të armëve dhe municioneve të cilat pasi i ka fshehur në pjesët e brendshme të automjetit të tij ka tentuar t'i trafikojë ato në Itali.

Në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë vijojnë hetimet intensive për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari të paligjshme.

Operacioni i koduar ”Vizitori” është realizuar nga strukturat e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë.
vlore, makina e italianit me arme



























(Në foto makina e kapur sot në Vlorë me arsenalin e armëve)


Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)