Përfaqësuesit e Transportit interurban të qytetit të Vlorës kanë dalë këtë të hënë në një protestë paqësore në hyrje të qytetit, në rrugën që lidh aksin Transballkanike me autostradën e Vlorës.
Ata protestojnë për vendqëndrimin e ri të autobusëve interurban që është zhvendosur në hyrje të qytetit të Vlorës duke u larguar nga rruga e re ku ishte më parë. Në fjalën e tyre për media përfaqësuesit e transportit interurban thonë se vendqëndrimi i ri nuk plotëson asnjë kusht për të qenë një stacion urbani.
Sipas tyre në rrugën ku po qëndrojnë i rrezikohet edhe jeta për shkak se zbarkojnë pasagjerët dhe bagazhet në anën e rrugës duke u kthyer në burim aksidenti.
"Ne nuk jemi dakord për këtë, sepse këtu nuk ka asnjë kusht minimal. Këtu na rrezikohet jeta. Do vazhdojmë të pezullojmë punën”, tha një shofer.
“Ne kërkojmë kushtet më minimale. Statcioni që na caktuar kryetarja e bashkisë është një vend mizerable. Ky vend është burim aksidenti, ne kërkojmë një terminal”, tha një tjetër.
Ata nënvizojnë se protestën e tyre do ta vazhdojnë duke pezulluar aktivitetin derisa të merren masa për zgjidhjen e këtij problemi. Ndër të tjera ata shprehen se nëse ndërtohet një terminal me kushtet e duhura atëherë do të vazhdojnë të punojnë.
"Vlora është i vetmi qytet që nuk ka terminal. E kemi pezulluar punën dhe do të vazhdojmë ta pezullojmë", theksoi një tjetër.
Një problem që shoferët vënë në dukje është se vendi ku kanë qëndruar më parë është kthyer tashmë në një vend ku qëndrojnë taksitë dhe furgonat piratë të cilat ju marrin aty klientët.
Komente








