/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Vlorës njofton se skafi i gjetur një ditë më parë në zonën e Zvërnecit është në pronësi të një shtetasi italian, që ka hyrë ilegalisht në vendin tonë.
Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se skafi ishte në pronësi të shtetasit italian me iniciale D.C., 53 vjeç, (me precedent penal, sipas bluve të Italisë), banues në Brindizi, ndaj të cilit ka nisur edhe procedimi për veprat penale "Kalim i paligjshëm i kufirit" dhe "Mosnjoftimi i autoriteteve".

Një ditë më parë policia e Vlorës njoftoi se në plazhin e Zvërnecit është gjetur i braktisur një mjet lundrues tip skaf me mbishkrimin "Fiziana" 5.6 m, me flamur italian me dy motorrë me nga 40 kuaj fuqi. Policia njoftoi se mjeti ishte i boshatisur dhe i dëmtuar në një pjesë të tij. Nga ky moment nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave që kishin çuar mbërritjen e skafit në Vlorë, si dhe për pronarin e skafit. Ky i fundit, sipas njoftimit të sotëm rezulton të jetë shtetasi italian D.C., vjeç 53, i cili u paraqit në polici së bashku me dokumentet e mjetit. Gjithashtu nga shërbimet e policisë në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i mjetit lundrues tip skaf.