/ATSH-Harilla Koçi/.-Qendra për Informim e BE-së në Vlorë, organizoi një aktivitet në fokus të të cilit ishte roli i grave dhe impakti që ato kanë e duhet të kenë në shoqëri.
Kjo veprimtari, e frymëzuar nga tema e këtij Viti për Ditën Ndërkombëtare të Gruas #Make it happen ("Bëje të mundur"), u shoqërua me një ekspozitë të titulluar "Të jetosh me punët e dorës".

Organizatorët synuan që, përmes kësaj të rrisnin vetëdijen mbi barazinë gjinore dhe nevojën e fuqizimit të grave, me qëllim forcimin e shoqërisë.
Me këtë rast, mjaft gra të vetëpunësuara, amvisa dhe vajza të reja, u inkurajuan për të ekspozuar krijimet e tyre të punuara me dorë, për të treguar historitë e tyre dhe mënyrën se si këto lloj produktesh i kanë ndihmuar që ato të sigurojnë të ardhura për veten dhe familjen.

Drejtuesja e Qendrës për Informim të BE-së, Besjana Roshi, njohu pjesëmarrësit me veprimet e ndërmarra në nivel të BE për të ndihmuar në arritjen e barazisë gjinore si dhe me Strategjinë e Komisionit Evropian për barazinë ndërmjet grave dhe burrave, që përbën edhe programin e punës për periudhën në vazhdim.
Gjithashtu të pranishmit u prezantuan me projektin e punëve artizanale, i zbatuar në kuadër të projektit IPA CBC Shqipëri-Greqi, një projekti i financuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian. Përmes projektit CRAFT IN, që implementohet në kuadrin e Programit IPA CBC Shqipëri-Greqi, synohet jo vetëm ruajtja dhe nxitja e vlerave të traditave në prodhimet artizanale, por edhe shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i hapësirave të bashkëpunimit mes artizanëve shqiptarë dhe grekë, si një mundësi për zgjerimin e tregut në vendet respektive, por edhe më gjerë.

Projekti CRAFT IN, që implementohet nga 5 partnerë, mes të cilës Shoqata e Bashkive në Greqi, komunat e Pogonit në Greqi dhe Shqipëri, Bashkia e Delvinës dhe Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, që është edhe "lead partner"("partneri lider") për vendin tonë, synon të nxisë zhvillimin e artizanatit dhe veçanërisht të krijojë përmes një platforme të promovimit dhe tregtimit të shitjeve online, mundësinë e promocionit të produkteve tradicionale shqiptare dhe greke jashtë kufijve respektivë, përmes evidentimit të vlerave të tyre.

Projekti Craft IN ka hyrë kohët e fundit në fazën më të rëndësishme, që është krijimi i një portali në internet, ku mund të shiten produkte të ndryshme tradicionale.
Nën atmosferën e ngjyrës vjollcë që simbolizon drejtësinë dhe dinjitetin, dy vlera të lidhura fort me barazinë e grave, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën. /