/ATSH-Harilla Koçi/.-Sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Vlorës ka një histori, që nis në vitet '30-të të shekullit të kaluar. Kjo histori e ka fillesën e saj tek çezmat publike dhe finalizohet me ujësjellësin modern, që furnizon aktualisht qytetin.
Çezmat publike kanë qenë burimi kryesor i furnizimit me ujë të banorëve të qytetit të Vlorës, deri në dekadat e para të shekullit XX. Deri në fillim të viteve '30-të të shekullit të kaluar, në Vlorë funksiononin 3 objekte të tilla. Njeri ndodhej në qendër të qytetit, pranë merkatos së sahatit, një tjetër, në atë që, dikur emërtohej "Lagja e Re", pranë xhamisë së Agallinjve dhe, i treti, në Lagjen "Muradie", pranë Sheshit të Flamurit.
 
-Çezmat publike, burimi kryesor i ujit të pijshëm-
 
Në një nga akset rrugore, në qendër të Vlorës, krijohet herë pas here, një gropëzim që shkakton shqetësime për drejtuesit e automjeteve, që kalojnë aty. Është aksi që qarkon merkaton e sahatit dhe që vazhdon me rrugën "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", për tek godina e ish gjykatës së vjetër. Gropëzimi, sipas inxhinierit të vjetër, Vangjo Loli, është rrjedhojë e paqëndrueshmërisë së shtresave të tokës, që lidhet me ekzistencën e një pusi publik, ose e një çezme publike, sikundër njiheshin ato dikur. Bëhet fjalë për periudhën e tre dekadave të para të shekullit të kaluar, kur, i vetmi burim për furnizimin e banorëve të qytetit të Vlorës me ujë të pijshëm ishin puset, ose çezmat. Sipas Lolit, në Vlorën e dikurshme, ekzistonin tre burime të tilla publike. Pusi, ose çezma e xhamisë së Agallinjve, ishte ndër më kryesoret dhe më të preferuarat për qytetarët vlonjatë. Sikundër tregohet edhe në foto, pranë saj ndodheshin gjithmonë njerëz që funizoheshin me ujë të pijshëm për familjet e tyre. Pusi ishte i pajisur me një mekanizëm të veçantë që e nxirrte ujin nga thellësia e nëntokës dhe përfundonte me një rubinet të përshtatshëm për të mbushur ujin. Preferenca e qytetarëve për këtë çezmë publike lidhej me pozicionin e saj, në një nga lagjet kodrinore të qytetit dhe afërsia me një nga xhamitë më të njohura të Vlorës, atë të Agallinjve.
Në foton e realizuar nga një fotograf italian në dekadën e parë të shekullit të kaluar, spikasin fare qartë njerëz që presin të mbushin, apo të pijnë ujë. Ata janë banorë të qytetit, por edhe të fshatrave që zbresin në Vlorë përmes rrugës, ku ndodhej çezma publike. Krahas kësaj çezme publike, dy të tjerat, kishin të njëjtën formë dhe të njëjtin funksion. Ato ishin ndërtuar në periudha të ndryshme, në fund të shekullit XIX, nga paria, si elemente të domosdoshme të infrastrukturës së qytetit.
Por, krahas kësaj, në traditën e vlonjatëve, përfshihen edhe çezmat vetjake. Ato ishin puse, të ndërtuara në oborret e banesave. Madje, sipas historianit vlonjat, Bardhosh Gaçe, çdo familje, bashkë me banesën, synonte të ndërtonte edhe pusin e ujit.
Kjo traditë, ishte e përhapur vecanërisht në lagjen "Karabash"(Nga turqishtja "Hunda e zezë"), sot lagja "15 tetori", një nga zonat më të vjetra të qytetit të Vlorës. Edhe çezmat vetjake, një miniaturë e atyre publike, kishin të njëjtën formë dhe mekanizëm dhe që, përgjithësisht, përfundonin me një rubinet në sipërfaqe. Por, për shkak të parametrave, uji i tyre ishte i një cilësie më të ulët, krahasuar me ato publike.  Ky fakt, sqaron edhe preferencën e qytetarëve që ujin e pijshëm, ta siguronin në çezmat publike.
 
-Çezmat publike, vende takimesh dhe njohjesh-
 
Në traditën e qytetarëve të Vlorës, çezmat  publike shërbenin edhe si një vend, ku takoheshin banorët dhe kalonin një pjesë të kohës së tyre. Kjo provohet edhe nga fotoja, ku spikasin krahas burrave edhe gratë, gjë që tregon se në këtë drejtim kishte një lloj emancipimi. 85 vjeçari, Xh.Zeneli, thotë se, pranë këtyre çezmave mblidheshin burrat për të biseduar dhe për të kaluar një pjesë të kohës, por edhe të rinj e të reja, që i shfrytëzonin ato si vende njohjeje dhe pëlqimi. Në këto vende janë realizuar mjaft njohje mes të rinjve dhe të rejave, që janë kthyer më pas në dashuri e janë konkretizuar në krijimin e familjeve.
 
-Ujësjellësi, ndër investimet e para në Vlorën e viteve 1930-
 
Kjo praktikë, ka vazhduar deri në 2-3 dekadat e para të shekullit të kaluar. Ndër investimet e para që u realizuan për modernizimin e qytetit të Vlorës, ishin edhe ato për ndërtimin e ujësjellësit. Ai u ndërtua përgjatë disa viteve. Nisi në vitet 1930, sipas një projekti dhe financimi Italian dhe përfundoi në fillimin e viteve 1940, kur ky ujësjellës mori profilin e vet të plotë, duke u bërë gradualisht, burimi kryesor i furnizimit të qytetit, me ujë të pijshëm. Puset, apo çezmat e dikurshme, publike e private, nisën të zhdukeshin.
Ujësjellësi i ndërtuar 70-80 vjet më parë, ka qenë deri pak vite më parë i njëjti objekt, pothuajse i paprekur dhe që ka siguruar furnizimin me ujë të pijshëm për një qytet, që është dhjetëfishuar në numrin e popullsisë. Kjo, sipas specialistëve vlonjatë, dëshmon për vizionin e projektuesve italianë, emrat e të cilëve janë të panjohur