Vlorë, 10 qershor/ATSH-Harilla Koçi/.- Një avion, në bordin e të cilit lëviste një ekip xhirimi, u ul të mërkurën në pistën e aerodromit të Akërnisë, në komunën e Novoselës, 20 km në veriperëndim të Vlorës.
Përmes një deklarate zyrtare, Drejtoria e Policisë së Vlorës sqaroi se, avioni, një mjet fluturimi civil, i tipit "ZA-EDE", që i përket Kompanisë AEE (Albanian Electro Mechonical Engineering), ka nisur një itinerar fluturimesh që shtrihet në një territor të gjerë, mes të cilave në Rrëshen, Milot, Gjiri i Lalëzit, Akërni-Novoselë, me synimin për realizimin e xhirimeve për përgatitjen e një dokumentari filmik për transportin ajror civil në Republikën e Shqipërisë.
Policia në deklaratën e saj, saktësoi se avioni është pajisur me dokumentacion të rregullt për realizimin e këtij itinerari fluturimi, me çertefikatë rregjistrimi (Nr. Serie: 7-0503), të lëshuar nga drejtori i Aviacionit Civil z. Bujar Azizaj, leje fluturimi, lëshuar më datë 09.04.2015, nga Autoriteti i Aviacionit Civil, Çertefikatë e Kufizuar e Vlefshmërisë Ajrore, lëshuar më datë 07.02.2012, në përputhje me Konventën e Aviacionit Civil.
Sipas policisë, ky fluturim shoqërohej nga një grup pune në bashkëpunim me shtëpinë diskografike "Ska-Ndal" shpk, ku përfshihen regjisori Saimir Kumbaro, Spartak Papadhimitri, Marjela Zajmi, Klajdi Papadhimitri, Arben Dërhemi, ndërkohë që avioni pilotohej nga Sokol Cunaj.
Ulja e avionit në pistën e aerodromit ushtarak të Akërnisë, ishte pjesë e këtij itinerari që po vazhdon në përputhje me programin e paraqitur më parë edhe pranë policisë së Vlorës. Mësohet se procesi i xhirimeve po vazhdon pa asnjë shqetësim. /m.z/ /a.ke/










