/ATSH-Harilla Koçi/.-Në të gjitha bashkitë e Qarkut të Vlorës nisi procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07.00 dhe në to janë drejtuar edhe zgjedhësit e parë për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës.
Në të gjithë Qarkun funksionojnë 10 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve(KZAZ) nga të cilat katër në Bashkinë e Vlorës, 1 në fshatin Kotë, 1 në Himarë, 2 në Sarandë dhe 2 në Delvinë.
Nga ana tjetër, në të gjithë qarkun funksionojnë 431 Qendra Votimi  (QV), nga të cilat 311 për bashkitë e Vlorës, Selenicës, Himarës dhe 120  për bashkitë e Sarandës, Delvinës, Konispolit e Finiqit.
Në Bashkinë e Re të Vlorës numërohen 152949 zgjedhës, nga të cilët në njësinë administrative të Novoselës, 12707 zgjedhës, në Orikum 8912, Qendër 13931, Shushicë 7202, dhe pjesa tjetër për qytetin e Vlorës, të ndara sipas rajoneve, Rajoni 1, 19838 zgjedhës, Rajoni 2, 22473 zgjedhës, Rajoni 3, 22310 zgjedhës, Rajoni 4, 22528 zgjedhës dhe Rajoni 5, 23048 zgjedhës.
Popullsia e Bashkisë së Re të Vlorës, sipas Censusit të vitit 2011, llogaritet në 104.827 banorë, por në rregjistrin civil të kësaj bashkie, numri është 194.147 banorë.
Bashkia e re e Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 616.85 km2 dhe përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë, Vlorë, Orikum , Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë. Në bashkinë e re përfshihen dy qytete, Vlorëe Orikum dhe 37 fshatra.
Në zgjedhjet e ditës së sotme janë në garë për kryetar bashkie, Dritan Leli, kandidat i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Genc Deromemaj, kandidat i Partisë Demokratike, pjesë e  Aleancës për Popullore Për Punë dhe Dinjitet dhe Vasil Bedinaj, kandidat i pavarur.