Vlorë, 21 nëntor/ATSH-Harilla Koçi/.-Policia e Vlorës procedoi penalisht të premten dhe shpalli në kërkim një 51- vjeçar, i cili dyshohet të ketë abuzuar me energjinë elektrike.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, nisi procedimin penal në ngarkim të 51- vjeçarit F.Konomi, i cili u shpall person në kërkim për shkak se në një subjekt biznesi në pronësi të tij në lagjen "Uji i Ftohtë", u konstatua një lidhje e paligjshme e furnizimit me energji elektrike.
Aksioni i ditës së sotme i policisë së Vlorës është pjesë e veprimeve që kanë nisur prej 3 javësh në mbështetje të OSHEE-së, për të bllokuar dhe parandaluar abuzimet me energjinë elektrike.
Një ditë më parë, uniformat blu arrestuan në kushtet e flagrancës, dy persona, të cilët akuzohen për vjedhjen e energjisë elektrike, ndërkohë që procedoi penalisht me të njëjtën akuzë dy të tjerë dhe një tjetër u shpall në kërkim.
Gjatë javëve të fundit grupet e OSHEE të mbështetura nga struktura të policisë, kanë intensifikuar punën për të evidentuar rastet e vjedhjes së energjisë elektrike.
Vetëm gjatë tre ditëve të fundit janë evidentuar më shumë se 40 raste të abuzimit me energjinë eletrike. Gjatë këtyre veprimeve janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe janë arrestuar edhe katër ish punonjës të OSHEE.
Po ashtu, është rregjistruar rritje e dukshme e arkëtimit të energjisë elektrike të konsumuar, me të paktën 30 përqind krahasuar me periudhat paraardhëse. /a.ke/