Vlorë-Dy persona në Vlorë janë shpallur në kërkim pasi vodhën një shtëpi të marrë me qira nga dy vajza të huaja.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur ditën e djeshme (6 dhjetor) në qytetin bregdetar.
Sipas njoftimit të policisë 39 dhe 41 vjeçari kanë vjedhur një shumë prej 500 euro, një aparat celular Samsung dhe një dokument udhëtimi.
“Komisariati i Policisë Vlorë, falë veprimeve të shpejta hetimore, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. T., 39 vjeç, dhe K. B., 41 vjeç, të dy banues në Vlorë. Këta shtetas dyshohen se më datë 06.12.2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja, njëra kolumbiane dhe tjetra venezueliane, një shumë prej 500 euro, një aparat celular Samsung dhe një dokument udhëtimi. Vijon puna për kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.