VLORE - Një 51-vjeçar nga Vlora është qëlluar paraditen e sotme në fshatin Gjormë të Vlorës me armë zjarri në këmbë dhe si pasojë e hemorragjisë ka humbur jetën në spital.

Nuri Seferi është qëlluar me armë zjarri në këmbën e djathtë nga kushëriri i tij Çerqes Seferi, 48 vjeç, pas një konflikti pronësie. Plumbi i automatikut e ka kapur në rrëzë të kofshës 51-vjeçarin, pasi vëllai i tij ka tentuar t’i ulë armën kushëririt.

Pavarësisht transportit me urgjencë për në spital, Nuriu ka ndërruar jetë si pasojë e sasisë së madhe të gjakut të humbur. Trupi i pajetë i Nuri Seferit është dërguar në morgun e spitalit të Vlorës, ku iu nënshtrua ekspertizës mjekoligjore.

Sipas policisë e cila ka dërguar në vendngjarje inspektorët e krimeve ngjarja ka ndodhur për një konflikt pronësie. Blutë kanë dokumentuar të gjithë ngjarjen dhe nga hetimet rezultoi se motiv i vrasjes mbetet konflikti i pronësisë, më saktësisht për kullotat që dy kushërinjtë kishin në kufij të përbashkët. Autori i ngjarjes, kushëri i parë i viktimës është shpallur në kërkim, por ende nuk është ndaluar.

Në bazë të njoftimeve të marra nga blutë ai është fshehur në malet e zonës, për t’i shpëtuar arrestimit.

(eç/shqiptarja.com)