Shëndeti mendor në Shqipëri, stigma dhe nismat për të drejtat e pacientëve

Shëndeti mendor në Shqipëri, stigma dhe nismat për të drejtat e pacientëve

Në Shqipëri, shëndeti mendor është një nga fushat më problematike të mjekësisë, për shkak të stigmës të madhe të shoqërisë ndaj pacientëve, gjë që pengon rehabilitimin e tyre.

Një pjesë e tyre braktisen, mbeten pa familje e pa banesa dhe mbeten banorë shumëvjecarë në spitalet psikatrike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po bën thirrje për plotësimin cilësor të të drejtave të këtyre pacientëve dhe zhvendosjen e tyre në qendra komunitare.

Spitali psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, është i mbushur me pacientë në maksimum, ndërsa tani gjendet në prag të një rindërtimi të plotë infrastrukturor dhe shkencor.

Të 310 shtretërit e spitalit janë të zënë me pacientë, afro gjysma e të cilëve jetojnë aty nga 10 e më shumë vjet, e ndonjë prej tyre gjendet aty nga dita e parë e hapjes së spitalit në vitin 1964.

Doktor Roland Bërdufi punon prej 40 vjetësh në këtë spital. Ai ka parë kushtet në çdo periudhë deri sot që është bërë një spital me karakter diagnostik, kurativ dhe rehabilitues me ekipe mjekësore dhe inter-disiplinare.

“Spitali mbulon rreth 1 milionë e 300 mijë banorë në rajon dhe në vit bën një xhiro shtrati prej 300-400 pacientë, që vijnë dhe dalin nga spitali. Që në hapat e parë ne zbatojmë të drejtat e pacientëve, me dokumentin e parë mjekësor, kartela, që ka një deklaratë dhe detaje të tjera. Spitali perceptohet nga jashtë si një vend izolues, por ne jemi në të kundërtën e kësaj. Siç e shihni edhe vet, këtu gjithçka është e hapur, është e lirë. Ne komunikojmë me familjarët, për të cilët kujdesemi dhe i këshillojmë si të sillen me njeriun e tyre në mjekim e sipër” - thotë doktor Rolandi.

Shqipëria ka ratifikuar në fund të vitit 2009 Konventën e OKB-së për të drejtat e personave me paaftësi dhe duhet të veprojë më shumë në këtë drejtim, pohojnë ekspertët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po kërkon përherë e më shumë përmbushjen cilësore të të drejtave të pacientëve.

Laura Loli Dano, specialiste e të drejtave njerëzore në fushën e shëndetit mendor, u kthye nga Kanadaja në Elbasan pas 4 vjetësh nga studimi i saj doktoral, që kreu aty, për të vërejtur ndryshimet si dhe nevojën e madhe që kanë pacientët për t’u trajtuar në komunitet, edhe për shkak të ngushticës në pavijonet e mbingarkuara.

“Më gëzon shumë fakti që për herë të parë spitali po përgatitet të kalojë procesin e parë të akreditimit dhe një nga pikat kryesore është përmirësimi i kushteve të jetesës. Edhe në studimin tim, kushtet e jetesës ishin një nga pikat kryesore për tu përmirësuar, sepse ende rrinë 10 vetë në një dhomë. Ulja e këtij numri është një hap i parë për promovimin e të drejtave të tyre” - thotë Laura.

Teza doktorale e saj “Të drejtat njerëzore në spitalet psikiatrike të Shqipërisë” përfshin një periudhë të gjatë kohore nga trajtimi i dhunshëm i pacientëve gjatë diktaturës komuniste, vështirësitë e tranzicionit dhe sfidat e shëndetit mendor në kohët e sotme, kur OBSH po bën thirrje për deinstitucionalizimin e këtyre pacientëve.

Adela Lamçja Muça punon prej 12 vjetësh si psikologe dhe koordinatore e shërbimit psiko-social dhe atij rehabilitues në spitalin psikiatrik.

Ajo thotë se shumë prej pacientëve janë stabilizuar nga gjendja mendore, por strehohen këtu për një kohë të gjatë, sepse kanë nevojë për një mbështetje shtesë, që të jetojnë jashtë spitalit, ku kushtet sociale, ekonomike e bëjnë të vështirë daljen në komunitet.

Dy qendrat ditore ndihmojnë rehabilitimin e tyre dhe brenda spitalit shfrytëzohen gjithë mundësitë për të plotësuar të drejtat e tyre, thotë ajo.

“Qëllimi është deinstitucionalizimi i këtyre pacientëve dhe reduktimi i numrit të shtretërve dhe përpjekjet janë bërë me shtëpizat komunitare. Jemi në hapa të mirë, por pritshmëritë janë për më shumë, që çdo vit që kalon të hapen edhe shtëpiza të tjera dhe të kemi mundësi t’i nxjerrim thuajse të gjithë këta pacientë që kanë kohë të gjatë qëndrimi këtu” - thotë Adela.

Ekspertët pohojnë se të drejtat bazë të këtyre pacientëve janë privatësia dhe standartizimi i shërbimit shëndetësor cilësor, krahas medikamenteve standarte, me të cilat mjekohen sëmundjet kryesore.

Këto mund të plotësohen edhe brenda një rrjeti komunitar, thotë Laura. Specialistja thekson se përvoja më e mirë botërore këshillon që spitalet psikiatrike duhet të mbyllen dhe të ketë vetëm pavijone me shërbime psikiatrie.

Shqipëria thotë ajo, ka shumë shtretër dhe pacientë në spitalet psikiatrike për frymë të popullatës, spitali është shndërruar edhe në një strehë të individëve, sepse nuk kanë se ku të shkojnë.

Shtetit, sipas saj, i kushton më shumë t’i mbajë këta njerëz në spital se sa t’i nxjerrë në një sistem komunitar shërbimi, sepse rehabilitimi është qëllimi kryesor.

“Këta individë duhet të dalin patjetër në komunitet. Pastaj gjithë shërbimi tjetër duhet të jetë sistem i tipit të fshatrave SOS, me infrastrukturë të plotë, me mjekë psikiatër, psikologë, mjekë të përgjithshëm, infermierë psikiatrikë, terapistë okupacionalë etj” - thotë Laura.

Spitali Psikiatrik në Elbasan është më i ngarkuari ka 8 pavijone, 310 shtretër, 2 qendra ditore, një qendër komunitare dhe 2 shtëpiza të mbështetura në varësi.

I dyti vjen ai i Vlorës me 145 shtretër, ku gjysma e kompleksit është ndërtuar rishtas, kushtet e jetesës janë shumë më të mira, privacia e individit është më e mirë, mundësitë për të dalë janë më të mëdha. Ndërsa një pjesë e spitalit atje, e ndërtuar në vitin 1920, ka nevojë për përmirësime.

Por ekspertët këmbëngulin që me rindërtimet nuk duhet synuar shtimi i shtretërve, por qëllimi është nxjerrja e këtyre individëve në komunitet, që ata të jetojnë, të plaken e kur të moshohen edhe të ndërojnë jetë si njerëz të lirë në komunitetin e tyre me mbështetjen e duhur njerëzore./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë